Ndonëse, muajt e karantinës në vendin tonë duket sikur morën fund, fëmijët-artistë nuk reshtin së angazhuari në aktivitete kulturore online. Kësaj here në muajin e Muzikës artistët e ardhshëm morën pjesë në video-festivalin e organizuar nga violinisti Ergi Papadhimitri dhe Estela Jaho.
“Kjo platformë është organizuar gjatë ditëve të karantinës, edhe ishte një motiv i madh që fëmijët të mbaheshin të lidhur pas muzikës”, shprehet violonçeliste Estela Jaho, e cila është mësuese tek “Dëshmorët e Lirisë”.
“Fëmijët janë të lidhur jo vetëm më muzikën klasike, por bëjnë edhe këngë-covera. E shikoj se muzika ka shumë interes nga të gjithë fëmijët”, thotë violinisti Ergi Papadhimitri.
Vetëm gjatë pandemisë COVID ishin 115 fëmijë pjesëmarrës në disiplinën e pianos, violonçelit dhe violinës, nga Shqipëria, Kosova edhe trevat e tjera shqipfolëse.
“Mua më pëlqen shumë violina. Prandaj e shikoj veten në të ardhmen artiste”, thotë një nga vogëlushet.
Ndërsa, kësaj here nxënësit e shkollave “Servete Maçi”, Dëshmorët e Lirisë dhe të Liceut Artistik “Jordan Misja” performojnë edhe rrëfejnë dashurinë e tyre për muzikën
“Violina është një instrument femëror, që mund ta marrësh kudo me vete”, shprehet një nga fëmijët.
Të gjithë pjesëmarrësit në fund të video-festivalit janë vlerësuar me certifikata.