Në këto pamje që po shihni nuk paraqitet mot i keq apo me mjegull. Është një ditë normale në fshatin Kullë të Sukthit, ku djegia e mbeturanve gjatë gjithë kohës është kthyer në një shqetësim për banorët. Re të mëdha tymi prej një jave kanë mbuluar zonën, ndërsa banorët e zonës tregojnë se situata është bërë e padurueshme.
Të hapësh dritarët në këto ditë të nxehta verë në zonat përreth vendit ku digjen mbetetjet urbane është e pamundur. Situata e rëndë është denoncuar pranë Report Tv nga banorët, të cilët shprehen të frikësuar për pasojat që mund të ketë ndotja e ajrit në nivele të tilla. Banorët thonë se kanë bërë denoncime disa herë, por nuk ka patur asnjë reagim ndërsa “armiqte” e mjedisit, vijojnë të pashqetësuar aktivitetin e tyre.
Pamje nga fshati Kullë i Sukthit i mbuluar nga tymi i djegies së mbeturinave
Djegia e mbeturanve, sipas banorëve të fshatit Kullë, po bëhet nga Bashkia e Sukthit, me cila nuk është kujdesur që këtë proces ta kryejë sa më larg zonave të banuara, pro shumë pranë banesave. Përveç ndotjes mjedisore dhe pasojave në shëndet, një gjë e tillë ndikon negativisht tek turistët në imazhin e qytetit bregdetar, i cili gjatë sezonit duhet dhe ka të gjitha potencialet të kthehet në një motor të mirëfilltë ekonomik.
Ne po e thithim ajrin e toksikuar në çdo moment, derisa të vdesim, askush nuk e vret mendjen. E kemi bërë publike disa herë, por nuk është marrë asnjë masë, përkundrazi tani i mbajnë të ndezura natë e ditë pa pushim. Edhe tani, na ka hyrë tymi brenda nëpër dhoma, s’mund as t’i mbyllim dritaret as t’i hapim, sepse tashmë nëpër shtëpi është gjithë tym.
Denoncimi i banorit për Report Tv