LONDER- Daily mail ka publikuar një video shokuese të një 4-vjeçari i cili stërvitet të qëllojë me kallashnikov nga rebelët në Siri. 

Vogëlushi besohet të jetë shqiptar, dhe nga theksi i fjalëve të pakta që dëgjohen në video duket se i përket familjeve brenda kufirit të Republikës së Shqipërisë.  4-vjeçari qëllon  2 herë, ndërsa në sfond dëgjohen instruktimet në shqip “mbaje këtu afër”, të cilat i referohen mbajtjes së armës dhe më pas, thirrjet “Allahu Ekber”.

"Pamjet janë postuar në YouTube dhe besohet se është xhihadisti shqiptar i cili është një nga qindra të huajt që luftojnë përkrah grupit të Alkaedas në Siri."- shkruan Daily Mail.

Një numër i madh shqiptarësh të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë i janë bashkuar luftës së Xhihadit përkrah forcave rrebele të opozitës Siriane, kundër ushtrisë së Assad. 

Kjo luftë duket se ka përballur në Sirinë e largët shqiptarët me sllavët, të cilët sipas mediave ndërkombëtare janë bashkuar me pagesë ushtrisë së Assad.

Vetëm gjatë këtij viti janë raportuar për 3 shqiptarë të Shqipërisë, që kanë humbur jetën në luftimet e ashpra të luftës civile në Siri, njëri prej të cilëve ishte banues në Tiranë, dhe të tjerët në Vlorë dhe Pogradec. Shqiptarët që shkojnë për të luftuar në Siri, marrin edhe bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët i vendosin në kampet e ushtrisë rebele.

Redaksia online
(gxh/sg/shqiptarja.com)