Prej ditësh tashmë ‘Rithemelimi’ i Sali Berishës por edhe Partia e Lirisë së Metës dalin në media dhe ftojnë shqiptarët në protestën e 12 nëntorit. Së fundmi ish-Kryeministri e ka përsëritur thirrjen për mitingun para Kryeministrisë me një spot zyrtar.  Me këtë spot opozita kërkon të përcjellë mesazhin e fortë të çngjyrosjes së flamurit kombëtar me ngjyrën e Rilindjes, nga “duart e Edi Ramës”. Dhe spoti shoqërohet me një zë që numëron ato që opozita i quan skandalet e qeverisë.

Por në fakt publikimi i këtij spoti tregon një skandal të ;Rithemelimit; dhe Sali Berishës. Në video shikohet qartë se flamuri kombëtar përdhoset, mbulohet me një bojë vjollcë. Ky veprim është një shkelje e hapur e ligjit dhe mbi të gjitha është një krim i parashikuar edhe në Kodin Penal.

Sipas nenit 268 të Kodit Penal poshtërimi i Republikës dhe simboleve të saj, përfshirë Flamurin Kombëtar, duke e dëmtuar, prishur, bërë të padallueshëm dhe të papërdorshëm, dënohet me gjobë deri në 2 vite burg.

Neni 268 i Kodi Penal

Poshtërimi i Republikës dhe simboleve të saj.

Poshtërimi botërisht ose nëpërmjet botimeve apo shpërndarjes së shkrimeve, i Republikës së Shqipërisë dhe rendit kushtetues, i flamurit, i stemës, i himnit kombëtar, i dëshmorëve të kombit ose heqja, dëmtimi, prishja, bërja e padallueshme apo e papërdorshme e flamurit apo e stemës së Republikës së Shqipërisë të ekspozuara nga institucionet zyrtare, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.