Një fokë e rrallë, nga lloji i së cilës në të gjithë botën janë vetëm 700 të tilla, është parë në ujërat e Vlorës. Përmes një video drejtoria rajonale e Zonave të Mbrojtura atje jep informacion dhe thotë se bëhet fjalë për një nga gjitarët më të rrallë në Shqipëri. Në video duket foka e cila ka kapur një peshk gjigand dhe po ushqehet.
"Ju përshëndesim me këtë video të fokës mesdhetare nga Parku Kombëtar Detar Karaburun -Sazan, pjesë e zonave të mbrojtura të qarkut të Vlorës. Foka mesdhetare e njohur me emrin shkencor Monachus monachus është ndër gjitarët e rrallë të përhapur në rivierën shqiptare.
Më pak se 700 individë mendohet të kenë ngelur nga kjo specie, gjë e cila e rendit ndër speciet e rrezikuara në mënyrë kritike si në Listën e Kuqe të specieve në Shqipëri ashtu edhe në Listën e Kuqe të IUCN-së.
Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura Vlorë, në bashkëpunim me peshkatarët e zonës, akuakulturën dhe agjencitë turistike siguron informacionin e nevojshëm nga vëzhgimet në terren, bashkëpunim i nevojshëm për sigurimin e mbrojtjes së fokës dhe rritjen e mundësisë për suksesin e riprodhimit në vendin tonë", shkruan Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Vlorë.