Pamje të papranueshme janë ato të siguruara në videon e mëposhtme ku një grup fëmijësh së bashku me prindërit e tyre në Papër-Sollak të Elbasanit u duhet të kalojnë lumin në këmbë për të shkuar në shkollë.

Kjo është rruga që ata përshkrojnë çdo ditë vetëm për të shkuar në shkollë. Kalimi është i pamundur pa pasur çizme apo pa përveshur pantollonat e tyre. Por në secilin rast ky është një rrezik i madh për të gjithë nxënësit të cilët tentojnë të kalojnë këtë lum si rrugëzgjidhje e vetme për t’u arsimuar në zonën më të afërt.

Në video shihet edhe një moment kur një prej prindërve merr në shpinë njërin prej nxënësve për ta kaluar në anën tjetër.

Këto pamje të pazakonta u denoncuan nga kandidati i Rithemelimit për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi i cili nëpërmjet një postimi në facebook, akuzon qeverinë për papërgjegjshmëri morale për të takuar njerëzit ndërkohë që fëmijët rrezikojnë jetën për të shkuar në shkollë.

“Prindërit në ditët me shi puthen e përqafohen me fëmijët e tyre që "luajnë" me jetën, për të kaluar mes për mes ujërat e rrëmbyeshëm! A mund të quhet kjo një sakrificë për arsimimin? Për ata fëmijë, sigurisht që po. Por në fakt, kjo është përtej papërgjegjshmërisë politike! Kjo është papërgjegjmëri morale! Si mund të kenë guxim të dalin të takojnë njerëzit? Si s'kanë turp të premtojnë se do të bëjnë më mirë? Zotimi është i thjeshtë! Kurrë më këta fëmijë s'kanë për të kaluar në këtë mënyrë rrjedhën e lumit. Kurrë më, prindërit s'do luten që fëmijët t'i kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi nga shkolla!”- shkruan Boçi.