Komediani gjerman Jan Boehmermann, ka ngjallur debate pasi ka publikuar në emisionin e tij satirik një video që tregonte Ministrin grek të financave, Yanis Varoufakis, teksa i drejtonte gishtin e mesit Gjermanisë.
 
Boehmermann, moderator i programit satirik "Neo Magazin Royale", u shpreh më vonë se videoja ishte manipuluar nga stafi përmes programeve kompjuterike dhe i kërkoi falje publike në emër të të gjithë stafit ministrit grek. Filmimet tregonin z. Varoufakis në një event në Zagreb të Kroacisë, 2 vite më parë, pa u emëruar ende ministër. Në këtë event, ministri flet për borxhin e vendit të tij dhe ndërsa kryen gjestin e pahijshëm, shprehet “t’i fusim gishtin Gjermanisë”.
 
Pasi Boehmermann mohon publikisht vërtetësinë e videos, Varoufakis, reagoi në rrjetin social Twitter duke falënderuar komedianin gjerman. “Ne politikanët kemi nevojë për ty”,- u shpreh ai.

Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)