DURRËS- Pallatet e pa banuara për shkak të dëmtimit nga tërmeti i 26 nëntorit vijojnë të mbeten objektiv i grabitësve në qytetin e Durrësit. Hajdutët shfrytëzojnë mungesën e energjisë elektrike për të marrë pompat e ujit por dhe dorezat e dyerve e çdo material tjetër prej hekuri e bakri. Gjergj Thanasi një prej banorëve që ka rënë pre e vjedhjeve, rrëfeu për Report Tv se përveç materialeve me vlerë që merren, problem mbetet çarja e mureve me qëllim depërtimin në objekt, duke dëmtuar edhe më tepër strukturat e pallateve.
“Deri tani kanë ndodhur 6 raste vjedhjesh. Janë vjedhur pompa uji matës uji, një matës elektrik, janë thyer 2 apartamente, ku janë marrë disa gjëra të vogla. Në katet e para janë zhveshur çdo lloj skrapi, hekuri, bakri. Policia ka vepruar. Dy janë kapur. Besoj se do kapet dhe një grup i tretë hajdutësh. Herën e fundit hajdutët që vodhën shtëpinë time ishin me doreza dhe nuk kanë lënë shenja gishtash. Fukarëllik, maskarallëk. Pavarësisht se e dinë se do hynë në burg ka tentativa prapë. Çajnë muret., Janë të dëmtuara. Duke çarë muret, dëmtohet më tepër struktura e pallatit”, tha banori, Gjergj Thanasi.
Për këto ngjarje, policia ka mundur të ndalojë disa prej autorëve, të cilët shpesh janë të mitur. Ditën e djeshme janë zbardhur 10 vjedhje dhe është goditur grupi me 4 hajdutë, ku dy prej tyre ishin të mitur.