Tre persona janë arrestuar dhe tre të tjerë janë shpallur në kërkim ditën e sotme në Durrës, të akuzuar si autorë të disa vjedhjeve me dhunë në këtë qytet, por edhe në qytete të tjera. Bëhet me dije se kanë rënë në prangat e policisë Enkeled Hoxha, Alma Kllogjeri dhe Genti Gjoci, ky i fundit organizatori i grupit.
Ndërkohë janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e shtetasve S. H. (alias E. L.), 31 vjeç; A. T., 33 vjeç; A. Rr., 27 vjeç dhe A. S., 35 vjeç.
Procedimi penal në ngarkim të tyre ka nisur pasi, më datë 07.02.2021, në orët e para të mëngjesit dyshohet se të maskuar kanë vjedhur me dhunë një biznes në zonën industriale të qytetit të Durrësit.
Po ashtu dyshohet se ata janë autorë të vjedhjes edhe të disa magazinave dhe bizneseve në qytetin e Durrësit dhe qytete të tjera.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, ndërsa po punohet për kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të të gjithë autorëve të implikuar.