Durrës - Policia e Durrësit ka arrestuar një 22-vjeçar për vjedhje.

Nga hetimet e kryera rezulton se Gabriele Bardho ka vjedhur në dy automjete dhe në një tabakino, një shumë prej 3 mijë eurosh dhe sende me vlerë rreth 2 mijë euro.

Siç shihet edhe nga pamjet e publikuara nga policia i riu është kapur mat nga kamerat e sigurisë teksa vjedh në një tabakino në mes të ditës dhe më pas shkon për të vjedhur në një makinë të parkuar.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, bazuar në informacionin e grumbulluar në rrugë operative dhe nga pamjet filmike, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Vlera”.

Në kuadër të operacionit u bë lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit G. B., 22 vjeç, banues në Durrës.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit, ka vjedhur në dy automjete dhe në një tabakino, një shumë prej 3 mijë eurosh dhe sende me vlerë rreth 2 mijë euro.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin ligjor edhe të disa vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga 22-vjeçari”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja më shumë se një herë”.