Kryeqyteti austriak, i njohur si një nga qendrat më të rëndësishme të muzikës klasike në botë, do të mbyllë përkohësisht disa muze të lidhur me kompozitorë të famshëm dhe do të shkurtojë oraret e hapjes të disa atraksioneve kulturore, si pjesë e një pakete kursimesh për të ulur shpenzimet publike.

Lajmi u bë i ditur të mërkurën nga drejtori i institucioneve muzeale të qytetit, Matti Bunzl, i cili shpjegoi se vendimi vjen nga ulja e buxhetit për kulturën. Ai tha se realiteti me të cilin përballet Viena nënkupton se "të gjithë duhet të kursejnë."

Sipas njoftimit, apartamenti ku kompozitori Franz Schubert ndërroi jetë është mbyllur që në fillim të këtij viti, ndërsa nga data 2 mars pritet të mbyllen edhe shtëpia ku ka jetuar Joseph Haydn dhe banesa e Johann Strauss, autorit të Danubit Blu. Po nga 2 mars do të mbyllet edhe vendlindja e Schubertit, e cila pritet të ridizajnohet përpara rihapjes dhe synohet të jetë sërish funksionale në vitin 2028, në kuadër të 200-vjetorit të vdekjes së kompozitorit.

Drejtoresha financiare Christina Schwarz ka bërë të ditur se mbylljet pritet të zgjasin rreth dy vjet, edhe pse muzetë e prekur janë kryesisht institucione të vogla, me kosto minimale stafi. Në shifra, buxheti që qyteti i akordon kulturës bie nga 29.7 milionë euro në vitin 2025 në 28.4 milionë euro këtë vit, ndërsa parashikohet një ulje e mëtejshme edhe në vitin 2027.

Përveç mbylljeve, disa muze të tjerë do të punojnë me orare të reduktuara, mes tyre Prater Museum, Hermes Villa dhe disa atraksione të lidhura me arkitektin Otto Wagner.  

Masat e kursimit janë pjesë e një pakete më të gjerë, që përfshin edhe rritje të çmimeve të disa biletave të transportit publik në Vjenë, deri afërsisht 30% për disa kategori.

Ndërkohë, partia e djathtë ekstreme FPÖ ka kritikuar faktin që shkurtimet nuk do të prekin Wiener Festwochen, një festival i rëndësishëm i arteve në Vjenë, duke hapur debat për prioritetet e financimit kulturor në qytet.

Vjena, e cila u kthye në një qendër europiane të kulturës falë trashëgimisë së Habsburgëve dhe pranisë historike të emrave si Mozart e Beethoven, përballet tani me një fazë shtrënguese që pritet të ndikojë edhe te vizitorët dhe turizmi kulturor në vijim.