7 ditë i zhdukur/ Vijojnë kërkimet për 3-vjeçarin, hetohet edhe largimi jashtë Shqipërisë! Gjyshi e kunati 'mbyllen' në qeli

Kërkimet për gjetjen e 3-vjeçarit që humbi gjurmët në Durrës vijojnë ende. Për fatin e të voglit nuk ka asnjë detaj, ndërsa rezulton i zhdukur që prej 7 ditësh, pasi nëna e tij e kishte lënë të kalonte disa orë me gjyshërit e tij në zonën e ish-kënetës në Durrës.

Që prej 16 prillit kur nëna Ile Gjuni denoncoi zhdukjen e të birit, fotot e 3-vjeçarit janë dërguar në të gjitha pikat e kalimit kufitar, bëjnë me dije burime në policinë e Durrësit. Policia i ka sinjalizuar të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor, ajror dhe detar, duke u dhënë të dhënat e fëmijës, familjarëve, si edhe veshjet e detaje të tjera që mund të çojnë në identifikimin e të miturit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se deri më tani nuk është konfirmuar që djali të jetë larguar jashtë shtetit, pasi ka dyshime që mund të kenë kaluar ilegalisht nga kufiri me Kosovën.Por ka edhe dyshime që gjyshja e tij Bahrije Gjuni është me djalin brenda Shqipërisë, duke jetuar në ndonjë shtëpi me qira. Gjithsesi largimi nga Shqipëria mbetet ende një pistë hetimi.

Kërkimet për gjetjen e të miturit janë përqendruar në Has, aty ku ka origjinën familja Gjuni. Mësohet se janë kontrolluar 15 banesa në zonën e Krumës ku mendohej se mund të strehohej Bahrija me nipin.

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg gjyshin Rexhep Gjuni, 60 vjeç dhe Arben Selaj, vëllai i gjyshes së 3-vjeçarit. Ndërkohë, në kërkim është shpallur gjyshja Bahrije Gjuni, 57 vjeç, dhe vëllai tjetër i saj Flamur Selaj, 43 vjeç. Gjyshi Gjuni nuk ka ndihmuar grupin hetimor, duke mos dhënë asnjë të dhënë se ku mund të ndodhet i mituri.

Dramën e rëndë familjare e ka rrëfyer 23-vjecarja Ile Gjuni, e cila deklaroi se problemet me ish-vjehrrit kanë lindur pasi i vdiq bashkëshorti në aksident. Ajo ka shkuar të jetojë tek prindërit e saj po në zonën e ish-kënetës, ndërsa ish-vjehrrit vazhdimisht kërkonin kujdestarinë e 3-vjeçarit, gjë që nuk iu takon me ligj. Për të ulur tensionet ajo e çonte djalin tek gjyshërit gjatë fundjavave, por të shtunën ata kanë refuzuar ta kthejnë fëmijën e mitur, me pretendimin se do ta rrisin vetë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:51
Zhdukja e 3-vjeçarit në Durrës, lihet në burg gjyshi dhe kunati i tij

 

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg Rexhep Gjunin, gjyshin e 3-vjeçarit që u zhduk 7 ditë më parë në zonën e ish-kënetës në Durrës. Nëna e la 3-vjeçarin me gjyshërit për disa orë, por më pas ai është zhdukur dhe ende nuk ka asnjë gjurmë prej tij.

Po ashtu, Gjykata ka dhënë masën arrest me burg për Arben Selaj, kunatin e gjyshit. Ndërkohë, në kërkim është gjyshja me vëllanë tjetër të saj.  

"U mbyll seanca për caktimin e masës së sigurimit. Në kushtet kur kemi të bëjmë me një të mitur nuk mund të thuhet asgjë për arsye se është sekret hetimor, tani do vazhdojë prokuroria hetimet. Masa e sigurimit, arrest me burg, nuk ka ndryshuar asgjë", tha avokatja pas përfundimit të seancës. 

Vendimi i Gjykatës

1.    Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim R.Gjuni, i dyshuar për  kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal. 
2.    Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim R. Gjuni, atë të “Arresit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
3.    Vleftësimin e ligjshëm të ndalimit, të personit nën hetim A. Selaj, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Rrëmbimi ose mbajtja peng e personit” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 109/2 e 25 të K.Penal. 
4.    Caktimin e masës së sigurimit personal ndaj personit nën hetim A. Selaj, atë të “Arresit në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale.
5.    Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
6.    Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë brenda 5(pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit të arsyetuar. 

Ora 13:46
Zhdukja e 3-vjeçarit, gjyshi dhe kunati i tij dalin para Gjykatës së Durrësit! Pamjet brenda kafazit të qelqtë

 

Gjyshi i 3-vjeçarit që u zhduk në Durrës ka dalë para gjykatës. Gjyshi Rexhep Gjuni dhe kunati i tij, Arben Selaj do të njihen sot me masën e sigurisë.

Report Tv sjell pamjet e tyre brenda kafazit të qelqtë të gjykatës, ku gjyshi i 3-vjeçarit është veshur me një xhaketë ngjyrë bezhë.

Deri më tani nuk ka asnjë gjurmë nga 3-vjeçari, ndërsa gjyshi nuk është treguar bashkëpunues, duke mos dhënë asnjë detaj se ku mund të jetë nipi.

SI.E./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 20/04/2024 00:57

    Fotot e femijes i keni vene ne cdo pike kufitare,por akoma jo neper TV.Nxirrni foto te qarta te femijes e gjyshes dhe vellait te saj ne cdo TV kryesore e lokale dhe kontaktoni Interpolin!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Barazimi me Kroacinë, mendoni se Kombëtarja kalon grupet e Euro 2024



×

Lajmi i fundit

Euro 2024/ Skoci-Zvicër 1-1, helvetët shohin përpara në fazën 1/16 me supergolin e Xherdan Shaqirit

Euro 2024/ Skoci-Zvicër 1-1, helvetët shohin përpara në fazën 1/16 me supergolin e Xherdan Shaqirit