Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë britanike, Chris Wormald ka dhënë dorëheqjen këtë të enjte.
Kryeministri Keir Starmer e cilësoi Wormald si një “bashkëpunëtor të shkëlqyer” dhe falënderoi për mbi 35 vite shërbim publik.
"Kam rënë dakord me të që ai të japë dorëheqjen si sekretar i kabinetit sot. I uroj gjithë të mirat për të ardhmen.", tha Starmer.
Wormald, i cili qëndroi në post pak më shumë se një vit, është zyrtari i tretë i lartë që largohet nga kabineti i kryeministrit Keir Starmer brenda pak ditësh.
Më parë u larguan edhe shefi i stafit të Starmer, Morgan McSweeney, dhe drejtori i komunikimit, Tim Allan.
Lëvizjet e fundit lidhen me ristrukturimin e stafit qeveritar dhe me tensionet që kanë lidhur me emërimin e ish-ministrit dhe ish-ambasadorit Peter Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara, i cili është në qendër të polemikave pas shfaqjes së emrit të emrit të tij në dokumentet e dosjes ‘Epstein’.
Starmer i ka rezistuar thirrjeve për dorëheqje, dhe ka deklaruar se nuk është i gatshëm të largohet nga mandati i tij si kryeministër.
Javën e kaluar, Starmer tha se i vjen keq që kishte besuar gënjeshtrat e Mandelsonit dhe e kishte emëruar atë ambasador në SHBA. Presioni u rrit pasi ai pranoi se kishte dijeni për lidhjet e Mandelsonit me abuzuesin e dënuar seksual Jeffrey Epstein, i cili vdiq në vitin 2019.
Mandelson u shkarkua në shtator, por dokumentet e publikuara së fundmi për Epstein sugjeruan se ai kishte ndarë informacione konfidenciale me Epstein kur ishte sekretar britanik i biznesit në vitin 2009. Mandelson ka dhënë gjithashtu dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve dhe nga vetë Partia Laburiste.
Komente










