Vijojnë ndihmat për familjet e përmbytura nga nxënës dhe besimtarë ortodoksë


TIRANË, 21 shkurt/ATSH-Z.Tosku/- Besimtarët e Tiranës dhe Durrësit, si dhe nxënësit e shkollës shqiptaro-amerikane "Protagonistët", kanë dorëzuar sërisht ndihma për banorët e zonave të përmbytura në Jug të vendit.
Ndihmat konsistonin në rreth 80 pako me ushqime dhe veshje dhe u dorëzuan nga Episkopi i Krujës, Imzot Andoni.
Që në ditët e para të emergjencës, besimtarët ortodhoksë, pas thirrjeve që u bënë nëpër kisha, u mobilizuan për të ndihmuar. Ndihmat e para u mblodhën në Mitropolinë e Beratit dhe u dorëzuan në shtabet e emergjencës në Novoselë e Levan.
Një kontigjent i dytë, me sasi ndihmash të tjera, u dorëzua më 11 shkurt. Për të përmbyturit, me dhuratat e besimtarëve orthodhoksë, ishin përgatitur 160 pako me ushqime me peshë mbi 2 tonë dhe 330 bidonë 7 litërsh me ujë.
Po kështu, në Shtabin e Emergjencave të Fierit u dorëzuan ndihmat që u mblodhën në Mitropolinë e Korçës, pas thirrjes dhe sensibilizimit që u bë në të gjitha kishat dhe në televizionin lokal.
Gjithashtu, një ndihmë nga Kisha u dha në qytetin e Selenicës. Pas daljes së Vjosës nga shtrati, u prish stacioni i pompimit dhe qyteti mbeti pa ujë. Kështu, me kontributin e besimtarëve, u mblodhën 600 bidonë uji 8-litërsh, që u dorëzuan në shtabin e emergjencës. /a.ke/
 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Preç Zogaj: ‘Mosmarrëveshja’ si testament i orientimit perëndimor të Shqipërisë