Vijon armëpushimi i brishtë
në Siri, jo për terroristët e ISIS

Vijon armëpushimi i brishtë<br />në Siri, jo për terroristët e ISIS
TIRANË - Armëpushimi në Siri, që për momentin po mban të qetë situatën, mund të krijojë shansin e duhur për fillimin e bisedimeve të paqes, kanë deklaruar autoritetet europiane. Sipas zyrës së kryeministrit britanik David Cameron, liderët e Rusisë, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë zhvilluar një sërë bisedash telefonike këtë të premte, në përfundim të të cilave kanë rënë dakord për të shfrytëzuar “dinamikën pozitive” të situatës.

Vendet e Bashkimit Europian i kërkuan Rusisë që të ndikojë tek qeveria siriane që të respektojë armëpushimin, bënë të ditur autoritetet gjermane.  Sulmet sporadike të verifikuara në disa zona të Sirisë nuk e kërcënojnë armëpushimin, që hyri në fuqi të shtunën e kaluar. Megjithatë, si opozita ashtu edhe qeveria akuzojnë njëra-tjetrën se e kanë shkelur marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Amerika dhe Rusia.

Armëpushimi nuk përfshin grupin xhihadist të Shtetit Islamik dhe organizatën Fronti i Al Nusrës. Duke përfituar nga qetësimi i situatës, mijëra protestues në mbarë Sirinë mbushën rrugët duke u dhënë jetë mitingjeve më të mëdha të verifikuara ndër vite. Protestuesit në Alepo, Damask, Dara dhe Homs i bënë thirrje presidentit Bashar al Assad që të tërhiqet.
 
Furnizimet
Ministria e Brendshme spanjolle njoftoi mbrëmjen e së enjtes konfiskimin e rreth 20 mijë uniforma dhe furnizime të tjera të destinuara për Shtetin Islamik dhe frontin Al Nusra. Autoritetet spanjolle bënë të ditur se uniformat u konfiskuan në një operacion policor që çoi në neutralizimin e një “rrjeti shumë aktiv dhe mjaft të efektshëm”, qëllimi kryesor i të cilit ishte sigurimi i furnizimeve ushtarake për organizatën terroriste të ISIS dhe disa degë të saj.

Uniformat ishin fshehur në kontejnerët e anijeve, për të cilët ishte deklaruar se mbanin rroba të përdorura për të shmangur dyshimet. Policia spanjolle publikoi një foto që tregon uniforma kamuflazhi. Dy nga tre kontejnerët janë bllokuar në portin e Valencias dhe një në Algeciras. Policia vuri në pranga edhe 7 persona, të cilat dyshohen për dhënien e mbështetjes financiare dhe logjistike të grupeve terroriste.
 
Çeçenët
Forcat Speciale Sekrete të Çeçenisë, pjesë e trupave speciale të famshme ruse “Spetsnaz”, janë infiltruar në radhët e ISIS-it në Siri dhe në Irak dhe po marrin informacione të dobishme për organizatën terroriste nga brenda dhe po mbështesin nga toka, aviacionin rus.

Lideri çeçen Ramzan Kadyrov tha për televizionin rus se, në prag të luftës civile në Siri, njerëzit e tij u infiltruan tek xhihadistët dhe tani kur Rusia është duke ndërhyrë ushtarakisht në Siri, komandot e tij e dinë se ku duhet të godasin dhe të marrin frytet e aksionit.

Ramzan Kadyrov thotë në intervistë: “Fatkeqësisht, kemi pasur humbje, por e dinim koston e kësaj sacrifice”.Ata u vendosën atje që atëherë kur ISIS-i ende nuk ishte krijuar. Instruktorët e tyre ishin nga vendet e NATO-s. Agjentët e Shërbimit Special Çeçen ishin futur në këto kampe dhe atëherë ata ishin ende të panjohur për Rusinë.

Të jemi të qartë, thotë Kadyrov: Ata nuk janë Forca Speciale të Rusisë që operojnë në Siri apo Irak. Janë agjentët tanë të mbuluar që veprojnë atje; që veshin rroba si të ISIS-it dhe duken krejt si ata. Kadyrov flet hapur sepse ai është i sigurtë se është krejt e pamundur për t’i zbuluar; agjentët kanë pasaporta falso dhe dokumenta të tjera dhe, e vetmja gjë që i lidh ata me rusët, është trajnimi në Qëndrën e Forcave Speciale.
--------------
Erdogani sekuestron gazetën e kundërshtarit politik
Një gjykatë turke ka sekuestruar asetet e gazetës “Zaman”, një zë kritik ndaj presidentit Rexhep Taip Erdogan. Administratorë shtetërorë janë caktuar për të menaxhuar gazetën, ndërkohë që nuk ka ende një sqarim për vendimin e gjykatës. “Zaman” është e afërt me lëvizjen Hizmet të klerikut Fethullah Gulen, ish-aleat i Erdogan që aktualisht jeton në mërgim në Shtetet e Bashkuara. Autoritetet turke e cilësojnë lëvizjen Hizmet një “organizatë terroriste” që synon sipas tyre rrëzimin e qeverisë. Për këtë arsye, shumë bashkëpunëtorë të saj janë arrestuar.

Nga ana tjetër, qeveria e Erdoganit është ndodhur nën një presion ndërkombëtar në rritje për trajtimin ndaj gazetarëve. Në një deklaratë për shtyp, gazeta “Zaman” deklaroi se vendi po shkonte drejt “ditëve më të errëta e më të zymta” sa i takon lirisë së shtypit. Organi mediatik shprehu “shqetësimin e thellë” për vendimin e gjykatës, që është sipas saj kulmi i presionit që zgjat prej mëse dy vjetësh ndaj gazetës me tirazhin më të lartë në vend.

Gazeta pretendon se, presioni ndaj saj është ushtruar përmes sanksioneve bankare, inspektime arbitrare të tatimeve dhe madje, kërcënim ndaj lexuesve të saj. Kryeredaktorja Sevgi Akarcesme tha për agjencinë e lajmeve “Reuters” se, “ky është fundi i lirisë së shtypit në Turqi”. “Media ka qenë gjithmonë nën presion, por nuk ka qenë kurrë kaq rëndë”, tha ajo.
-------
Koreja e Veriut, gati të përdorë armët e saj bërthamore
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka lëshuar një tjetër deklaratë të fortë, duke thënë se armët bërthamore të vendit të tij duhet të jenë gati për t’u përdorur në çdo kohë.Kim Jong-un, sipas medias shtetërore të vendit komunist, ka kërkuar që ushtria të jetë gati për të nisur sulme parandaluese. “Ne duhet të jemi gjithmonë të gatshëm për të përdorur armët tona bërthamore”, ka thënë Kim ditën e premte për agjencinë e lajmeve KCNA. Duke folur gjatë një stërvitje ushtarake, ai tha se armiqtë janë të rrezikshme për mbijetesën e Koresë së Veriut.“Në një kohë të skajshme, kur amerikanët po kërkojnë luftë dhe fatkeqësi në vendet e tjera, e vetmja mënyrë për të mbrojtur sovranitetin tonë dhe të drejtën për të jetuar është për të forcuar aftësinë tonë bërthamor”, ka thënë lideri i shtetit komunist.

Një përgjigje e menjëhershme erdhi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me deklaratat e fundit të Kim Jong-un.“Ne i bëjmë thirrje Koresë së Veriut që të përmbahet nga veprimet provokuese që përkeqësojnë tensionet dhe në vend të kësaj të përqëndrohet në përmbushjen e detyrimeve dhe angazhimeve të saj ndërkombëtare”, reagoi zëdhënësi i Pentagonit, Bill Urban. Deklaratat e fundit të Kim Jong-un vijnë pasi Organizata e Kombeve të Bashkuara vendosi sanksione të ashpra ndaj Koresë së Veriut pas testeve të fundit bërthamore nga Peniani.
-----------
Kërcënim serioz për kryetarin e Bashkisë së Prishtinës
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka marrë një kërcënim serioz.Qytetari i parë i Prishtinës është kërcënuar nga një person në Facebook dhe pas kësaj Ahmeti ka paraqitur rastin edhe në polici.Kërcënimi është paraqitur edhe në raportin e policisë së Kosovës më datën 2 mars, ku thuhet se njësitet përkatëse janë duke u marrë me rastin.

“Viktima ka raportuar se është kanosur përmes rrjetit social Facebook. Lidhur me rastin janë njoftuar njësitet përkatëse”,- thuhet në raportin e policisë.
Sipas burimeve, policia e Kosovës po përpiqet që të lokalizojnë vendin nga ka ardhur kërcënimi.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi

Parisi i jep lamtumirën Lojërave Olimpike, Shqipëria theu rekordin e saj historik me dy medalje bronzi