TIRANË- Disa pedagogë të Universitetit të Tiranës, kanë vijuar protestën dhe tashmë janë futur në javën e dytë të bojkotit të mësimit, ndërsa kërkojnë rritje pagash dhe kushte më të mirë mësimdhënie.

Kryetari i Sindikatës së Pedagogëve Sandër Kovaçi, i ka dërguar një letër të hapur presidentit të vendit Bajram Begaj, ku e ka informuar në lidhje me problematikat dhe kërkesat e tyre.

Ndër të tjera, në letër i është kërkuar kryeministrit Edi Rama që mos të intimidojë drejtuesit e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve dhe të trupës akademike, si dhe të trajtojë me seriozitet kërkesat e tyre që kanë si qëllim përmirësimin e gjendjes së Arsimit të Lartë Publik si e vetmja mënyrë për rikthimin e shpresës dhe frenimin e shpopullimit të vendit.

Megjithatë duket se pedagogët janë të përçarë, pasi një pjesë e tyre po zhvillojnë mësim. Kështu aktualisht po zhvillohet mësim tek Shkencat Sociale, te Fakulteti Ekonomik si dhe tek Fakulteti i Mjekësisë. 

Sakaq në një intervistë për Report Tv, pedagogia Mimoza Hafizi tha se rritja me 15% e pagave për pedagogët është një propagandë dhe se është e parealizueshme. Sipas ish-deputetes së PS-së, bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Prej disa ditësh pedagogët janë ngritur në protestë, ku ndër të tjera kërkojnë rritje të pagave.

Kërkesat e pedagogëve
  • -Rritja e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës
  • -Rritja e financimit për kërkimin shkencor
  • -Rivendosja e shtesave mbi pagë për ‘Dëshmëri shëndeti në punë’
  • -Rritja e shtesës mbi pagën për vjetërsinë në punë
  • -Rritja e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare
  • -Rivlerësimi i orës mësimore pasi ka zbritje prej 50% të pagesës së orës mësimore si rezultat i mosfierencimit të orës mësimore të leksionit.
  • -Rishikimin e tatimit prej 23% mbi pagesën e ngarkesës suplementare
  • -Të pezullohet deri më 2026 zbatimi i pikës c) të paragrafit të 3, i Kreut III të VKM Nr.112, datë 23.2.2018 për kriteret e marrjes së titullit “Profesor”.
  • -Të bëhet transparencë mbi buxhetin dhe të ardhurat e universitetet publike.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:15
Protesta e pedagogëve, Hafizi për Report Tv: Rritja me 15% është vetëm propagandë, do vijojmë bojkotin deri në plotësimin e kërkesave

Mimoza Hafizi thotë se rritja me 15% e pagave për pedagogët është një propagandë dhe se është e parealizueshme. Gjatë një intervistë për Report Tv, pedagogia e Shkencave të Natyrës, ish-deputete e PS-së, shtoi se bojkoti do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

‘Unë i kam mbështetur që në fillim dhe jam krejtësisht dakord i quaja krejt realizonte dhe i mbështes. Në protestë pati shumë folës nga mjedisi akademik që i qartësuan kërkesat tona dhe më bënë të ndihem krenare për mjedisin akademik ku bëj pjesë.

Në dijen time aty nuk ka asnjë rezervë, sepse të gjitha fondet e universitetit janë të konsumuara në gjithë komponentët e punës. Pra 15% është thjesht propagandë. Nuk është serioze që të propozohet nga qeveria 7%. Rritja e pagës me 15% është e parealizueshme.

Bojkoti është një nga masa e duhur. Unë nuk e ndjej vete se po politizohet. Marr pjesë me vullnetin tim më të lirë. Këtu janë njerëz të papolitizuar janë njerëz me integritet dhe moral dhe të pandikuar politikisht. Tek Shkencat e natyrës mungojnë laboratorët. Mungon financimi shkencor, mungon financimi për Shkencat e natyrës në përgjithësi.  Unë them se bojkoti të zgjasë deri sa të realizohen protestat.’- u shpreh Hafizi.