7 vatra zjarri mbeten aktive në vend dhe 10 janë nën mbikëqyrje.
Në Fier, vatra në Peshtan mbahet nën monitorim, ndërsa zjarri në Çërrilë, Mallakastër, vijon aktiv. Për këtë vatër janë angazhuar forcat vendore, pyjore dhe të mbrojtjes civile, ndërsa FA kanë ndërhyrë me 1 helikopter, 32 efektivë dhe 3 mjete.
Në Tiranë, vijon aktive vatra në Malin e Dajtit, por nuk ka rrezik për zonat e banuara. Vatrat në Malin e Bërzhitës dhe Mali me Gropa janë izoluar dhe mbahen nën mbikëqyrje.
Në Dibër mbeten aktive disa vatra: në Lundre–Madhesh, Mat, në Cerrujë–Mali i Allushit, Klos, në Selishtë, si dhe vatra e re në Pleshë, Klos. Vatra në Qafën e Helmes mbahet nën mbikëqyrje.
Në Shkodër, aktive mbetet vatra në Porav, Fushë-Arrëz, ndërsa zjarret në Rragam dhe në malin e Tërbunit janë nën mbikëqyrje dhe nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara. Vatra në Mnelë të Madhe është shuar.
Në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Korçë, situata paraqitet më e qëndrueshme: vatrat e raportuara janë kryesisht të shuara ose nën mbikëqyrje. Në Opar, Korçë, vijon puna në terren, por vatra klasifikohet nën mbikëqyrje dhe nuk rrezikohen banesa.
Vatra e zjarrit në Cërrilë të Mallakastrës është riaktivizuar pasditen e sotme, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi në një sipërfaqe të konsiderueshme të pyllit me pisha, duke alarmuar banorët e zonës.
Për neutralizimin e zjarrit po punojnë katër mjete zjarrfikëse, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 20 punonjës të bashkisë. Ndërhyrja po vështirësohet nga terreni i thyer, që e bën të vështirë afrimin e forcave në vatrën e zjarrit.
Pas kërkesës për ndërhyrje nga ajri, në zonë ka mbërritur edhe një helikopter, i cili do të angazhohet në operacionin për shuarjen e flakëve. Sipas informacioneve, zjarri ndodhet larg zonës së banuar.











Komente
Komento