Edhe këtë të hënë vijojnë rrëshqitjet e dheut në zonën “Arrat e Gurrës” në Librazhd, duke shkaktuar dëmtime të mëtejshme të aksit Librazhd-Pogradec.
Ura në këtë aks ka degraduar më shumë, dhe është bërë përfundimisht e papërdorshme. Vetë kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, tha se dje se ura duhet të shembet.
Rrëshqitja e tokës ka dëmtuar edhe bypassin provizor që pritej të hapej ditën e sotme.
Ditën e djeshme Prokuroria e Elbasanit njoftoi se ka filluar me iniciativë të saj hetimet për dëmtimet qëkanë sjellë bllokimin tërësor të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd-Pogradec. Hetimet nga prokuroria e Elbasanit kanë nisur për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”. Për këtë qëllim është krijuar një grup hetimor.
Kreu i ARRSH shpjegoi se për zgjidhjen përfundimtare të situatës priten të dhënat nga Shërbimi Gjeologjik dhe matjet e tyre në terren. Drejtori Kozeli hodhi poshtë dyshimet sipas të cilave dëmtimi mund të jetë e pasojë e gërrmimeve në shtratin e lumit nga një kompani inertesh. Ai tha se kompnia ka leje dhe doumentacion të rregullt.
Për shkak të dëmtimeve të rënda që pësoi rruga Librazhd-Pogradec, Autoriteti Rrugor Shqiptar bllokoi tërësisht qarkullimin në këtë aks, jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët.
Prej 3 ditësh qarkullimi kryhej me vështirësi në një korsi, ndërsa dje u mbyll plotësisht pasi situata u përkeqësua, me zhvendosje të trupit të rrugës.
Prej më shumë se 48 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës është përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, një rruge që kalohet me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar dhe që shton distancën me një orë.
Për drejtuesit e mjeteve, ARRSH thotë se duhet të përdorin rrugët Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan dhe Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë, ndërsa drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, duhet të përdorin rrugët në Pikën doganore Qafë Thanë – Maqedoni dhe Pikë doganore të Bllatës – Rruga e Arbërit.
Lajmi në përdiësim...
Dy deputetet e PD, Ledina Alolli dhe Klodjana Çapja thonë se shembja e rrugës Librazhd-Pogradec kanë shkaktuar probleme për bizneset, turizmin dhe qytetarët.
Alolli u shpreh se kryeministri Edi Rama vjen në Korçë me helikopter, ndërsa qytetarët enden maleve.
“Jemi për të parë nga afër gjendjen e krijuar për arsyen sepse kjo është artieria kryesore që lidh juglindjen e Shqipërisë, me kryeqytetin e vendit. Një dëm jashtëzakonisht jo vetëm për juglindjen, por për qarkun e Korçës. Kjo rrugë ka shkaktuar probleme për bizneset, pjesën e turizmit, por edhe qytetarët. Sot, kryeministri Edi Rama vjen në Korçë për të inaguaur Polin e Dijes, ai do të zbresë me helikoptet. Ai shfrytëzon vizitat e punës, duke përdorur mjete luksi, ndera shqiptarët rropaten maleve për të arritur në vendet ku duan të shkojnë”, tha Alolli.
Çapja deklaroi se drejtësia duhet të hetojë kompanitë që kanë operuar për ndërtimin e rrugëve, ARRSH dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.
“Prej 3 ditësh, situata sa vjen e rëndohet në këtë aks. Denoncojmë situatën skandaloze në të cilën po përballen qytetarët shqiptarë. Kjo situatë nuk është e papritur dhe e paparalajmëruar. Prishen rrugët ekzistuese, marrin inerte pa kriter në lumin Shkumbin. ARRSH nuk ka marrë masa parandaluese. Do të ftoja organet e drejtësisë të marrin masa të menjëhershme për kompanitë që operojnë, ARRSH si institucion përgjegjës dhe Belinda Ballukun”, theksoi Çapja.
Problemet në aksin rrugor Librazhd-Pogradec, kanë shkaktuar dëmtime dhe në rrjetin energjetik. Konkretisht që prej ditës së djeshme shtylla e tensionit të mesëm në Linjën 110 kV Librazhd - HEC Egnatia rrezikon shembjen. Sot energjia elektrike do të stakohet nga ora 10:00 deri në orën 17:00, hark kohor që do të punohet për demontimin e shtyllës.
Pa energji elektrike do të mbeten dhe disa zona në rrethin e Librazhdit, Babje, Buzgar, Drapata, Dragostunjë, Ferrë, Frarë, Hotolisht, Gurëkuqe, HEC-i Xhyrë.
Komente










