Një nga grupet më të riskuara nga mungesa e vaksinës janë të moshuarit, por ata shprehen se nuk kanë arritur të vaksinohen, e për më tepër në disa raste ka mungesë informacioni se mund të përfitohet edhe falas.
Gazetarja: E keni bërë vaksinën anti-grip?
Qytetarja: Jo! Kanë ardhur na thanë. Nuk e kemi bërë akoma, por do ta bëjmë. Nuk e dimë që është falas.
Nga ana tjetër mjekja infeksioniste Alma Hoxhaj shprehet për Report Tv se vaksina duhet të bëhej muaj më parë, për të parandaluar sëmundjet.
Është mirë që vaksina të bëhet në kohën shtator-tetor.Por edhe në këtë që jemi neve është shumë mirë që të bëhet, pasi neve pikun e gripit e kemi në muajin janar-shkurt dhe vaksinimi do një muaj që të arrijë efektin e tij.
Alma Hoxhaj, mjekja infeksioniste
Edhe farmacistët në kryeqytet ankohen për mungesën e theksuar të vaksinës anti-grip, duke qënë se dhe fluksi i të prekurve nga kjo virozë është në rritje. Edhe në ato pak farmaci që u kanë mbetur disa vaksina nga furnizimi i fundit, theksojnë se kanë nevojë urgjente për furnizim.
Në lidhje me këtë problematikë, Report Tv ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Shëndetësisë. Zyra e shtypit pohoi për Report TV se vaksinat anti grip janë siguruar dhe po shpërndahen.
“Ministria e Shëndetësisë ka siguruar vaksinat e gripit për këtë vit për kategoritë në nevojë dhe personelin shëndetësor, të cilat kanë ardhur në Shqipëri dhe aktualisht po shpërndahen sipas rregullave dhe kushteve të sigurisë në Qendrat Shëndetësore në të gjithë vendin”, thuhet në reagimin e MSH-së për Report Tv.