Visho Lika, roli në SHIK-un e
Gazidedes, ja çfarë fsheh

Visho Lika, roli në SHIK-un e<br />Gazidedes, ja çfarë fsheh
E shkuara e kreut të institucionit kryesor të sekreteve në Shqipëri, Visho Ajazi Lika, është rrethuar gjithnjë me një tis misteri. Dyshimet për të shkurtën e mjegullt të kreut të SHISH, i kanë ngritur vetë anëtarët e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, duke nisur që nga roli i paqartë në SHIK-un famëkeq të Bashkim Gazidedes, misionin në Riad të Arabisë Saudite, veprimtarinë në Kanada, në Barcelonë etj.

Por, më në fund, kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, ka thyer heshtjen, duke dhënë një version për të shkuarën e tij. Në faqen e rikonfiguruar të SHISH, kreu i institucionit të sekreteve, ka botuar jetëshkrimin e tij, duke u dhënë kësisoj një përgjigje zyrtare dyshimeve dhe pikëpyetjeve të ngritura prej katër vitesh rreth të shkuarës së tij.

Në jetëshkrimin e publikuar, Visho Ajazi Lika thotë se në SHIK-un e drejtuar nga Bashkim Gazidede, ka punuar si administrator i sistemit kompjuterik, nga shtatori 1994 deri në korrik të vitit 1997, periudhë në të cilën SHIK akuzohej për rrëmbime, rrahje të kundërshtarëve politik të ish-presidentit Berisha, për reprezalje, dhunë, përndjekje, plane për shtypjen e revoltave në Jug etj.

Edhe pse Lika është konsideruar si krahu i djathtë i Gazidedes, ai thotë se thjeshtë ka administruar sistemin kompjuterik të SHIK. Po ashtu, në jetëshkrimin e tij, kreu i SHISH pohon se gjatë periudhës maj 1993 deri në gusht të vitit 1994, ka mbajtur postin e drejtorit të Shërbimit të Jashtëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Por, nga ana tjetër, ka dëshmi dhe deklarata, sipas të cilave Visho Ajazi Lika, në atë kohë, punonte si drejtor i kundërzbulimit të huaj ose si quhej ndryshe drejtoria që ishte e vendosur në katin e katërt të Ministrisë së Jashtme.

Kreu i SHISH, thotë gjithashtu se ka punuar edhe si sekretar i parë në ambasadën shqiptare në Riad, në Arabinë Saudite, por nuk përmend kohën e fillimit të detyrës dhe të largimit nga ky funksion.

Qëndrimi në Kanada  
Në jetëshkrimin e kreu të Shërbimit Informativ Shtetëror nuk thuhet asnjë fjalë për qëndrimin dhe veprimtarinë në Kanada, statusin politik, arsyet e largimit etj. Kreu i SHISH vetëm sqaron se pas vitit 1998 ka punuar si zëvendëspresident për teknologjinë e informacionit, në EQUIFAX (IRMC). Por, një version tjetër për të shkuarën e tij, jep Visho Ajazi Lika, në formularin e dekriminalizimit, për të vërtetësinë e të dhënave mban përgjegjësi penale. Në formularin e vetëdeklarimit, kreu i SHISH shkruan se ka jetuar si mingrat në Toronto të Kanadasë, nga data 1.06.1998 deri në 30.11.2009. Po ashtu, kreu i SHISH pranon se ka punuar si emigrant në Greqi, në verën e vitit 1991. Gjithashtu Lika figuron me dy datëlindje në formularin e vetëdeklarimit. 
 
Roli në SHISH
Visho Ajazi Lika thotë se në SHIK-un e drejtuar nga Bashkim Gazidede, ka punuar si administrator i sistemit kompjuterik, periudhë në të cilën SHIK akuzohej për rrëmbime, rrahje të kundërshtarëve të ish-presidentit Berisha etj.
 
Fshehja
Në jetëshkrimin e kreu të Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika nuk thuhet asnjë fjalë për qëndrimin dhe veprimtarinë në Kanada, statusin politik, arsyet e largimit etj.
 
Çfarë fsheh në jetëshkrim
 
Rolin real në SHIK
  1. Veprimtarinë në Kanada
  2. Qëndrimin si emigrant në Greqi
  3. Ndryshimin e datëlindjes
 
Nga shkarkimi tek dekorimi
 
Në fillim të vitit 2014, shumica në pushtet ndërmori një lëvizje për kontrollin e veprimtarisë dhe mundësisht shkarkimin e kreut të SHISH, por dy vjet më vonë Visho Lika ka përfunduar me dy dekorata. Ndërsa një grup anëtarësh të Komisionit të Sigurisë Kombëtare përgatitën një raport për të gjitha paligjshmërinë në SHISH, që nga përgjimet e paligjshme, emërimet klienteliste etj., kreu i SHISH u dekorua nga kryeministri dhe më pas nga Presidenti i Republikës, me medalje mirënjohje për rezultatet në luftën anti-terror si dhe me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”, për forcimin e sigurisë së shtetit.
 

Jetëshkrimi i publikuar nga kreu i SHISH
 
1. Edukimi dhe kualifikimet
 
Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, 1976-1981.
 
Doktoraturë në shkencat kompjuterike, 1991.
 
Hulumtime post doktoraturës,  Universiteti Politeknik i Barcelonës, mars-korrik 1993.
 
Shërbimi Informativ i Shtetit, gusht 2012, drejtor.
 
Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, zëvendësministër për I-TIK. dhjetor 2009- gusht 2012.
 
IQOR, mars 2007- nëntor 2009 .
 
Zëvendëspresident për teknologjinë e informacionit, EQUIFAX (IRMC), dhjetor 1998- shkurt 2007.
 
Senior programmer analist, drejtues i projektit GENERIC NBS PACKAGES ORIFLAMME LTD, korrik 1997-prill 1998.
 
Administrator i sistemit kompjuterik të kompanisë; Shërbimi Informativ Kombëtar, shtator 1994-korrik 1997.
 
Drejtor i Shërbimit të Jashtëm; Ministria e Punëve të Jashtme, maj 1993 – gusht 1994.  
 
Diplomat dhe sekretar i parë në ambasadën shqiptare në Riad, Arabi Saudite.
 
Universiteti Politeknik i Tiranës, shtator 1991 - maj 1993.
 
Përgjegjës i Departamentit të Informatikës; Universiteti i Tiranës, shtator 1984-gusht 1991.
 
Pedagog në katedrën e informatikës; ndërmarrja e konsumit të gjerë, shtator 1981-gusht 1984, matematikan.
 
2. Vetëpërshkrimi i Visho Ajazi Likës
 
Visho Ajazi Lika u lind më 12 mars 1956, në Shkodër. Përvoja e tij e gjatë si punonjës publik, administrator publik, akademik, softëare inxhinier dhe menaxher IT, diplomaci dhe inteligjencë, kombinuar me karakterin entuziast, motivim të lartë, ambicie e dinamizëm, background të fortë matematik dhe përvojë të gjerë në programim, është një pasuri e krijuar nga vite të gjata pune intensive. Shtuar dhe rreth tre vitet e fundit në politikbërje në fushën e shoqërisë së informacionit, si dhe në Qeverisje, i ka mundësuar z. Visho Ajazi Lika të ndërmarrë një hap të rëndësishëm, atë të pranimit të marrjes së drejtimit të një institucioni të rëndësisë së veçantë kombëtare, me besimin se kontributi i tij do të jetë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale të SHISH-it. Përvoja e gjatë e punës në ekip dhe aftësitë drejtuese të tij, janë një garanci se drejtimi i ardhshëm i këtij institucioni do të jetë një vlerë e shtuar në detyrat e tij veçanërisht të rëndësishme në funksion të Sigurisë Kombëtare dhe detyrave të tjera kushtetuese dhe ligjore. Z. Visho Ajazi Lika është drejtues i fokusuar në përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit, në përmirësimin e punës në grup, promovimin e karrierës në institucion dhe në pengimin e çdo tentative për të dalë jashtë kuadrit ligjor, të cilit SHISH-i duhet t’i përmbahet me fanatizëm.  


Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase

Arrestohet pronari i kompanisë 'Ritron Kopi' në lidhje me rastin e Lotarisë Shtetërore maqedonase