TIRANE - Nata e Vitit të Ri për shumë familje shqiptare kaloi në errësirë të plotë për shkak të mungesës së energjisë elektrike. Në disa zona të vendit për shkak të mbingarkesës, e në disa të tjera, veçanërisht në zonat e thella veriore dhe juglindore, për shkak të motit të keq.
 
Operatori i Shpërndarjes  së Energjisë Elektrike në deklaratën e parë të këtij fillim viti, u ka kërkuar ndjesë të gjithë konsumatorve, duke u angazhuar njëherësh se duke nisur nga 2015-a do të kryhen investime për përmirësimin teknik të rrjetit në mënyrë që defekte të tilla të mos përsëriten më. Sipas OSHEE, në të gjithë vendin janë nxjerrë në terren 3 mijë punonjës të Operatorit të cilët po punojnë për të rregulluar të gjitha defektet e shkaktuara në rrjet.
 
OSHEE sqaron se në disa zona energjia elektrike është stakuar për disa orë, si pasojë e mbingarkesës nga rritja e menjëhershme e konsumit të energjisë. Kjo sipas OSHEE është bërë për të shmangur pasoja edhe më të rënda në rrjetin e Shpërndarjes. “Pas kalimit të orarit të pikut dhe shmangies së rrezikut, energjia është rikthyer në të gjitha zonat ku ka pasur ndërprerje për shkak të ngarkesës”, thuhet në njoftimin zyrtar të OSHEE-së.
 
Ndërkaq, rrjeti tejet i amortizuar ka krijuar probleme në disa zona të thella veriore e juglindore ku vazhdohet të punohet nga grupet e OSHEE-së për të riparuar avaritë teknike. Moti i keq ka dëmtuar rëndë 60 shtylla të tensionit të mesëm dhe rreth 240 kilometra linjë të tensionit të mesëm dhe të ulët.

Kushtet e përkeqësuara atmosferike, thekson OSHEE, në temperatura që arrijnë deri në minus 15 gradë Celcius e kanë vështirësuar punën e grupeve në terren, të cilët po bashkëpunojnë edhe me  grupet e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe me njësitë e Shtabit të Emergjencave Civile
 
Por cilat janë zonat ende pa energji elektrike?
Në Qarkun e Kukësit ka mungesë energjie në fshatrat: Geghysen, Degë, Lekbibaj, Grykë Qaje, Kalisë, Topojan dhe Shishtavec.
Në Qarkun e Elbasanit pa energji: Labinoti, Stravaj, Rrajcë, Qukës, Lunik, Hotolisht, Kodovjat, Cerrujë, Pishajt dhe Poroçan.
Në Qarkun e Korçës pa energji:  Cangonj, Lozhan, Lekas dhe Moglicë.
Në zonën e Pogradecit mungon energjia për rreth 200 konsumatorë
Ersekë janë pa energji rreth 100 konsumatorë në fshatin Panarit

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)