TIRANË - Lulzim Basha ka uruar shqiptarët për Vitin e Ri që po vjen, nisur edhe nga pozitat e tij të kryebashkiakut të Tiranës. 

Nëpërmjet një videoje, shpërndarë edhe në youtube, Basha duek pasur në sfond qendrën e Tiranës dhe pemën festive që ka përuruar vetë ka theksuar se "pak kohë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Ky është gjithmonë një moment plot shpresë dhe besim për të nesërmen që na pret. Po lëmë pas një vit jo të lehtë, por falë punës dhe vendosmërisë së secilit prej jush dhe të gjithëve së bashku ia kemi dalë të fitojmë mbi sfidat dhe shumë probleme dhe të tjera t’i vëmë në rrugën e zgjidhjes dhe të hapim së bashku një rrugë të re për një jetë më të mirë në Tiranë".

"Në fund të vitit secili bën bilancin e tij: çfarë bëmë mirë, çfarë mund të bënim më mirë, çfarë mund të bënim më shumë. Këto dilema, të zakonshme për çdo njeri, për ne të zgjedhurit tuaj janë më shumë se kaq: janë përgjegjësi. Viti i Ri po troket më sfida të reja dhe mendësi të reja, me sensin e përgjegjësisë, përkushtimit, përgjegjshmërisë dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Jam i bindur se sfidat e reja do t’i kapërcejmë së bashku".

"Në këtë moment duhet të reflektojmë dhe të zotohemi dhe të bëjmë të mundur kujdesin për njerëzit më në nevojë; për fëmijët, invalidët, pensionistët, personat me aftësi të kufizuar, që kanë nevojë për më shumë dashuri, përkushtim, punë".

"Uroj që Viti i Ri të sjellë paqe, mbarësi dhe gëzim në zemrat tuaja dhe çdo vatër shqiptare në mbarë trojet tona. Nga mot gëzuar!", përfundon urimi i Bashës.
 
 

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)