Sërish në skenë del emri i kompanisë “Orange Adversting”, që jo vetëm është krijuar vetëm pak ditë më parë, por zotërohet nga Odeta Malaj, vajza që i organizoi fushatën elektorale kreut të bashkisë së Tiranës, dhe Dionis Teqja, i cili është ortak në disa biznese të tjera, me Erion Isufajn , vëllain e bashkëshortes së Lulzim Bashës.
Këtë herë bëhet fjalë për fonde shumë herë më të mëdha se sa paratë e shpenzuara për festat e Nëntorit, të cilat duken çikërrima para atyre që bashkia ka vendosur të shpenzojë për festat e ndërrimit të vitit, ku vetëm qiraja që do të paguajnë biznesmenët për kasollet e drurit në rrugën pedonale është 3000 mijë euro, për një muaj.
Të publikuara sot në gazetën “Shqiptarja.com” do të gjeni dokumente konfidenciale,që gazeta ka arritur ti sigurojë, ku jo vetëm vërtetojnë abuzimet e kryebashkiakut në favor të njerëzve të afërt pranë tij dhe të familjes së tij, por edhe të gjitha detajet se si do të jetë organizuar ky fshat turistik apo vendin ku do të ngrihet.
Projekt-prezantimi përmbledhës i kësaj nisme të bashkisë së Tiranës, e cila zotërohet edhe nga “Shqiptarja.com”, hapet me një ftesë në të cilën ndodhet logoja e bashkisë dhe e kampanisë së reklamave “Orange” dhe poshtë shkruhet me shkronja të dallueshme: “Orange Advesting” në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës, organizon fshatin e Vitit të Ri.
Projekt-prezantimi, i cili është një dokument mjaft konfidencial, jo vetëm për faktin se Bashkia e Tiranës kishte menduar t’ua bënte surprizë
të gjithëve dekorimin e Tiranës për festat e fundvitit, por edhe sepse ai është një provë e abuzimeve me paratë e qyetarëve të Tiranës, përmban detaje të shumta për mënyrën se si do të funksionojë ky fshat. "Orange Advertising" me një eksperincë të gjatë në organizimin e eventeve, në bashkëpunim me bashkinë e Tiranës ka hedhur idenë e organizimit
të fshatit turistik të Vitit të Ri.
Fshati turistik i Vitit të Ri do të hapet për publikun për një periudhë një mujore. Ai do të të jetë i organizuar si një një treg i hapur, me 40 kasolle druri (2m x 2.5m x 2.5m) që do shesin ushqime, pije, dekorime krishtlindjesh, ornamente tradicionale, etj. Ata do t'iu jepen për përdorim bizneseve, të cilët mund të jenë të interesuar të promovojnë, shesin produktet apo shërbimet e tyre vizitorëve të shumtë. Rruga pedonale "Murat Toptani" ku do të instalohen kasollet e drurit, do të dekorohet me drita dhe pemën e krishtlindjeve duke krijuar një atmosferë të veçantë festive. Do të ketë aktivitetete të përditshme për fëmijët dhe grupmosha të tjera.
Objektivi kryesor: Futja e të parit fshat turistik të Vitit të Ri si një ngjarje inovative, e cila në të vërtetë ka një traditë të gjatë në shumë prej metropoleve të Evropës", - thuhet në draft-prezantimin e këtij projekti, që i është besuar "Orange Adversting".
HAPJA
Më 6 dhjetor, në orën 18:00 të darkës, në një ceremoni madhështore, kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha do të përurojë hapjen e fshatit turistik të Vitit të Ri, i cili do të qëndrojë i hapur deri më 6 dhjetor. I promovuar si një projekt ambicioz, bashkia ka parashikuar që të ketë rreth 10 mijë vizitorë në ditë, 5 mijë prej të cilëve do të jenë fëmijë. Ndërkohë që janë parashikuar edhe tre aktivitete të tjera të rëndësishme, siç është nata e Krishtlindjeve, e Vitit të Ri dhe mbyllja më 6 janar 2012. Kasollet e drurit, të cilat do të jenë të zbukuruara si për krishtlindje, do të jenë të hapura nga ora 09:00-23:00 të mbrëmjes. Ndërkohë që mësohet se pijet dhe ushqimet që do të tregtohen nëpër këto kasolle druri do të jenë krejtësisht të traditës shqiptare, dhe filluar që nga vera, rakija e deri tek reçeli e frutat e thata.
Gjithashtu me hapjen e këtij fshati turistik synohet jo vetëm të punësohen
me dhjetëra të rinj, që do të punojnë në to, por edhe një skuadër e tërë teknicienësh, e cila do të kujdeset që gjithçka të shkojë mbarë. Kështu, është parashikuar që të ketë një menaxher eventesh, një menaxher për marrdhëniet me publikun, një skuadër për suportin audio, një skuadër për zbavitje, një skuadër që do të merret me kafshët që do të sillen për fëmijët, fotografë, bandë muzikore, DJ, skuadër mbështetesë për të gjitha llojet e problemeve që mund të dalin si dhe polici private, doktor, zjarrëfikës, etj.
Pra gjithçka e menduar deri në detaje, që do të thotë se edhe kryebashkiaku Basha e ka "lëshuar dorën" në këtë projekt, pse jo të bukur të Vitit të Ri, por shumë të kushtueshëm për qytetarët e Tiranës, të cilët kanë ende mungesa jetike. Dhe ajo që hedh hije dyshimi mbi të gjithë këtë punë, është fakti se bashkia e Tiranës ka zgjedhur të shpallë fitues, persona të cilët ose kanë lidhje biznesh me kreun e bashkisë, Lulzim Basha, ose janë njerëz të rrethit të tij të ngushtë familjarë.
Me kasolle druri, si do ndryshojë rruga pedonale
Bashkia e Tiranës synon të grum bullojë plot 120 mijë euro, vetëm nga qiraja e fshatit turistik të Vitit të Ri. Kjo pasi në projektin e paraqitur nga kompania "Orange Adversting", e cila është përzgjedhur si kompania që do të menaxhojë jo vetëm këtë fshat turistik, që do të ngrihet në qendër të Tiranës, por edhe të gjithë dekorin për festat e fundvitit, qiraja që do të paguajë një biznes do të jetë 3000 euro për të gjithë muajin. Duke qenë se në total është parashikuar të ngrihen 40 kasolle druri, atëherë i bie që në arkën e bashkisë të përfundojnë 120 mijë euro.
Gjithashtu "Orange adversting" ka menduar edhe për paketën e ofertave që do të përmbajë taksa e qirasë për bizneset. "Përdorimi i ambienteve përplot një muaj; përdorimi edhe i ambienteve të jashtme për promovimin e produkteve të tyre, fushatë promovuese; dekoriminim (dekorimi i kasolles, pema e krishtlindjes për fshatin, si dhe një kënd lojrash për fëmijë), aktivitete të ndryshme zbavitëse, energjinë elektrike dhe kimikate për tualetet", thuhet në draft-projektit e paraqitur nga "Orange". Ndërkohë që ky projekt parashikon edhe një kënd lojrash për fëmijë, në afësi të zonën së kalasë madje edhe ngritjen e një minikopshti zoologjik ku fëmijët të mund të shikojnë disa kafshë të vërteta.
E-maili që implikon Erion Isufin
Pas "Orange Adversting" qëndron kunati i Bashës, Erion Isufaj. Këtë e vërteton edhe një e-mail, që e fejuar dhe organizatorja e të gjithë kësaj inciative, Stela Dhame ua ka dërguar bizneseve. Në fund ajo u kërkon atyre
që nëse bien dakord, mund t'i takojë me Odetën (Odeta Malaj 20% aksionere) ose Erionin (Erion Isufaj, kunati i Bashës). Ndërsa menaxhimi i të gjithë sipërfaqes prej 1512 metra katrorë i është besuar kompanisë "Iceberg Communacition".
Një e-mail që organizuesja e këtij inciative të bashkisë sëTiranës, njëkohësisht edhe e fejuara e Erion Isufajt, konfirmon se pas "Orange Adversting", qëndron Erion Isufaj, kunati i Lulzim Bashës. Në këtë korrespondencë konfidenciale, që Stela Dhami, ka zgjedhur ta
ndajë me miqtë e saj, duket qartë se Erion Isufaj ka interesa të drejtëpërdrejta në këtë projekt ambicioz, dhe madje është personi i kontaktit për ata që duan të marrin një nga kasollet e drurit me qira.
"Po të shkruaj për një inciativë të re që po mbart bashkia e Tiranës me
"Orange Adversting". Unë si mbështetëse e inciativës po ua kaloj informacionin miqve të mi. Inciativa ka të bëjë me krijimin e një fshati të këndshëm për periudhën e Krishtlindjeve në rrugën pedonale të Tiranës ku të promovohen dhe shiten produkte të ndryshme. Bashkangjitur po të dërgoj edhe prezantimin e plotë dhe të lutem më thuaj n.q.s keni ndonjë interes për t'u bërë pjesë e aktivitetit tonë.
Më beso, mendoj se do të ishte një mundësi perfekte për një marketim akoma më të mirë të firmës tuaj në tregun shqiptar. Besoj se do të ketë mundësi reale shitjeje duke parë edhe numrin e lartë të frekuentuesve të
kësaj rruge në këtë periudhë. Më thuaj n.q.s je i interesuar që të
të lidh me stafin organizues, me Odetën ose Erionin.
Ditë të këndshme, Stela".
Ky është e-mail-i i plotë që Dhami u ka dërguar të gjithë bizneseve, që ajo mendon se mund të jenë të interesuar për të paguar 3000 euro, për një nga 40 kasollet e drurit që do të vendosen që nga 6 dhjetori në rrugën pedonale "Murat Toptani", po që vërteton gjithashtu se në të vërtetë Basha ia ka dhënë milionat e tenderit për dekorimin e Tiranës, kunatit të vet, Erion Isufaj.
"ICEBERG"
Një tjetër çudi në gjithë këtë projekt është edhe firma së cilës i është besuar organizimi i këtij aktiviteti gjigand. Me datë 11 nëntor të vitit 2011, kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha ia ka firmosur këtë leje, kompanisë "Iceberg Communacition", e cila sipas kërkimeve tona pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve na rezulton të jetë nën pronësi të plotë të Rafaela Ricës.
Sipas të dhënave që "Shqiptarja.com" ka mundur të sigurojë nga QKR rezulton se "Iceberg Communacition" është themeluar që në dhjetor të vitit 1999 dhe ofron shërbime të ndryshme për të gjithë llojet e reklamave, prodhim të spoteve, përpunim grafik, etj".
Në lejen e firmosur nga Basha rreth 2 javë më parë theksohet se qëllimi i kësaj lejeje është "organizimi i panarit të vitit të ri për festat e fundvitit, dhe se kjo kontratë ka një kohëzgjatje 1 mujore nga 6 dhjetor 2011-6 janar 2012. Sipërfaqja që i është lënë në zotërim është 1512 metra katrorë, ndërsa kjo kontratë përfshin detyrimet për mbajtjen pastër të ambienteve dhe pagesën e taksës për zënien e hapsirës publike". Ndërsa në fund të kontratës thuhet qartë se "bashkia e Tiranës, mbështetur në politikat e saj, në rolin e rregullatorit, ka të drejtë të pezullojë apo anullojë lejen e mësipërme në çdo moment".
Ndërkohë që emri i laçianes Rafaela Rica, na del si një e afërme e ish kreut të bashkisë së Laçit, Bardh Rica dhe që herë pas herë është angazhuar në realizimin e kartolinave të urimit për bashki të ndryshme.