Viti i Ri/ Mesazhi i Presidentit Begaj: Moment reflektimi, Shqipëria ka ende sfida! Meta uron nga qelia! SHBA: Vijojmë bashkëpunimin

TIRANË- Politika uron Vitin e Ri 2025. Duke e quajtur moment bilancesh e reflektimi, kreu i Shtetit Bajram Begaj uroi shqiptarët për Vitin e Ri 2025. Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj tha se 2024 ishte një vit me arritje, por përpjekjet duhet të vijojnë për të krijuar Shqipërinë e së nesërmes.

Duke u ndalur veçanërisht në sfidën elektorale që politikën e pret në 2025, Begaj tha se 11 maji është një test. Një urim dha edhe për shqiptarët përtej kufijve shtetërorë dhe të rinjtë, duke u kërkuar kontribut për vendin.

"Viti zgjedhor 2025 është test për ne për të treguar se kemi mësuar nga gabimet e të shkuarës dhe se kemi aftësinë të shohim përpara. Kemi mundësitë dhe kapacitetet.   Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për të arritur objektivat tona", shkruan Begaj. 

Ilir Meta uroi nga burgu ndërrimin e viteve, duke shkruar se viti që lamë pas ishte një vit i vështirë, plot sfida dhe beteja për shqiptarët. 

"Gëzuar Vitin e Ri 2025, vitin e Lirisë dhe të ndryshimit për të gjitha shqiptarët. Të nderuar qytetare dhe qytetarë shqiptarë! Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc. Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta", shkruan Meta. 

Urimi nuk mungoi nga SHBA, ku e ngarkuara me punë Nancy VanHorn në një mesazh në shiqp tha se SHBA është krenare për arritjet në bashkëpunim me Shqipërinë përgjatë 2024 ndërsa bashkëpunimi theksoi ajo do të vijojë edhe në 2025.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:17
Basha uron Vitin e Ri: Shëndet, dashuri dhe shpresë për familjet shqiptare!

Lulzim Basha dhe familja e tij, duke uruar Vitin e Ri

Kryetari i grupimit Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, uroi sot (31 Dhjetor) shqiptarët për Vitin e Ri.

Basha ka postuar edhe një foto me familjen e tij dhe uron që ‘2025-sa të jetë i mbarë plot shëndet, dashuri dhe shpresë për familjet shqiptare’! 

“Urimet më të ngrohta të gjithë familjeve shqiptare për një Vit të Ri të mbarë, plot shëndet, dashuri dhe shpresë! Gëzuar Vitin e Ri 2025!”, shkruan ai.
 

Ora 14:32
Tabaku uron shqiptarët për Vitin e Ri: 2025, viti i shpresës dhe ndryshimit për Shqipërinë

Në prag të ndërrimit të viteve, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përcjellë një urim të ngrohtë për të gjithë shqiptarët, duke reflektuar mbi sfidat e vitit 2024 dhe duke ndarë shpresat e saj për vitin 2025.

“ Viti 2024 ka qenë një vit i vështirë për ekonominë, për xhepat e shqiptarëve, për familjet dhe për shumëkënd ,” tha Tabaku në mesazhin e saj. Ajo vuri theksin tek rritja e çmimeve dhe ulja e të ardhurave familjare, që kanë rënduar jashtëzakonisht mbi jetën e qytetarëve.

Sipas saj, vitin që lamë pas, pensionistët, mbi 800 mijë vetë, mezi kanë arritur të mbulojnë shpenzimet mujore, duke jetuar pa dinjitetin që meritojnë. Edhe rinia shqiptare, tha Tabaku, është përballur me vështirësi të shumta, duke u përballur me kushte të përkeqësuara në arsim dhe mungesë mundësish për të ndërtuar të ardhmen e tyre brenda vendit.

“ 2024 ka qenë gjithashtu një vit i vështirë për shtresën e mesme, për profesionistët e lirë, për mjekët, për inxhinierët dhe për shumë sektorë të tjerë që përbëjnë shtyllën kurrizore të ekonomisë shqiptare, ” theksoi ajo.

Por pavarësisht këtyre sfidave, Tabaku përcolli një mesazh shprese dhe rizgjimi për të ardhmen. Ajo theksoi se 2025 duhet të jetë viti i ndryshimit, i ringritjes dhe i shpresës për të gjithë shqiptarët.

“Shpresa ime është për më shumë kohë për familje, më shumë mundësi për t’u ringritur, më shumë të ardhura dhe më shumë dinjitet për çdo qytetar, ” tha Tabaku, duke theksuar se ndryshimi mund të vijë vetëm përmes forcimit të institucioneve dhe politikave të drejta.

Deputetja e Partisë Demokratike ftoi qytetarët të bashkohen për një qëllim të përbashkët: rikthimin e Shqipërisë në vendin që meriton.

“Me punë të ndershme dhe përpjekje të përbashkëta, ne mund t’ia dalim të ndryshojmë sistemin dhe të sigurojmë një të ardhme më të mirë për fëmijët tanë,” deklaroi ajo.

Në përmbyllje të mesazhit të saj, Tabaku shprehu edhe një reflektim personal për vitin që vjen, duke premtuar përpjekje të shtuara për të bërë më shumë dhe më mirë.

“Jam e përkushtuar që të punoj për të sjellë ndryshim të vërtetë për Shqipërinë dhe për të gjithë shqiptarët.”

Urimi i saj përfundoi me një mesazh të fuqishëm: “Gëzuar 2025! Qoftë viti i ndryshimit, i shpresës dhe i familjes për të gjithë shqiptarët!”

Ora 14:31
Meta kalon Vitin e Ri në qeli, uron shqiptarët: 2025, viti i lirisë

Ilir Meta uroi nga burgu ndërrimin e viteve, duke shkruar se viti që lamë pas ishte një vit i vështirë, plot sfida dhe beteja për shqiptarët. Meta tha se ky vit që po troket po i gjen shqiptarët në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar. Meta ka uruar me foton nga ngjitja në Jezercë.

"Gëzuar Vitin e Ri 2025, vitin e Lirisë dhe të ndryshimit për të gjitha shqiptarët. Të nderuar qytetare dhe qytetarë shqiptarë! Vetëm pak orë na ndajnë nga ndërrimi i viteve. Siç është zakon secili nga ne bën edhe një bilanc. Mbyllim një vit shumë të vështirë, plot sfida të panumërta dhe beteja të përbashkëta.

Më shumë se gjysmën e shqiptarëve, në veçanti pensionistët, ky vit që po troket i gjen në varfëri ekstreme, të pastrehë, të braktisur dhe të përjashtuar nga regjimi aktual, që vrau shpresën edhe për të rinjtë.

Përpjekja e hapur dhe e dhunshme për asgjësimin e demokracisë dhe pluralizmit politik avancoi si kurrë më parë. Përpara kemi një malore jo të lehtë. E megjithatë duhet të jemi shumë besimplotë se do të ngjitemi në majë sepse kauzat e mëdha dhe ekzistenciale, qëndresa, vendosmëria, dinjiteti dhe patriotizmi ynë e bëjnë të pashmangshme Triumfin e së Mirës ndaj së Keqes dhe Fitoren e përbashkët që po sjell ky Vit i Ri.

Me përkushtim, dashuri dhe vëmëndje ndaj gjërave të mira dhe të bukura, me vullnet, forcë e përgjegjësi, me energji pozitive, mençuri dhe vizion ne të gjithë bashkë do ta bëjmë realitet ëndrrën e bukur të të rinjve për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa! Nga zemra ju uroj të jetë ky Vit i Ri plot me gëzime, shëndet, mbarësi, dashuri dhe suksese për ju, familjet tuaja dhe të afërmit kudo që janë!  Gëzuar 2025", shkruan Meta. 

Ora 12:00
Viti i Ri/ Uron Begaj: Moment reflektimi, Shqipëria ka ende sfida! Zgjedhjet e 2025 test, mësoni nga gabimet

1734641651_bajrambegaj.jpg

Duke e quajtur moment bilancesh e reflektimi, kreu i Shtetit Bajram Begaj uroi shqiptarët për Vitin e Ri 2025. Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj tha se 2024 ishte një vit me arritje, por përpjekjet duhet të vijojnë për të krijuar Shqipërinë e së nesërmes.

Urimi i plotë i Presidentit Begaj

Në traditën tonë, ndërrimi i viteve është momenti i bashkimit në familje, i festimit, gëzimit dhe lutjeve për një vit të ri sa më të begatë.  Ky moment është një mundësi e çmuar për t’u bashkuar rreth vlerave dhe aspiratave tona, duke parë së bashku drejt të ardhmes.

Festa e Vitit të Ri na kthen tek ajo çka është njerëzore, shpirtërore, dhe te vlerat tona më të rëndësishme, si: familja, atdhedashuria dhe mikpritja.

Sot dëshiroj të ndaj me ju urimet dhe falënderimet e mia më të mira: Për të gjithë shqiptarët brenda e jashtë vendit, që kontribuojnë çdo ditë me punën e dedikimin e tyre për një Shqipëri më të paqtë, më të begatë e më evropiane.

Për të gjithë bashkëqytetarët tanë, që edhe këtë mbrëmje mbrojnë, kujdesen, ndihmojnë dhe sigurojnë vazhdimësinë e jetës së vendit.

Për të gjithë ata që jetojnë në emigracion, ata që studiojnë apo ata që shërbejnë në misione ushtarake e shtetërore në vende të ndryshme të botës.

Sot dëshiroj të përshëndes dhe t’u uroj çdo të mirë të gjithë bashkëkombësve tanë të Republikës së Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, kudo ku ata ndodhen.

Ndryshimi i viteve është moment bilanci dhe reflektimi, të cilin e bëjmë individualisht, si familje, si shoqëri, si shtet e si komb.

Shqipëria ka ende sfida për të përmbushur pritshmëritë, aspiratat, ëndrrat dhe dëshirat e qytetarëve të saj.

Ky vit ishte i pasur me arritje në shumë fusha, të cilat dëshmojnë për qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë tonë për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, forcimin e partneriteteve dhe imazhit ndërkombëtar, si dhe përqafimin e risive teknologjike.

Dikur e varfër dhe e izoluar, Shqipëria sot është anëtare aktive në NATO, është në negociata për anëtarësim në Bashkimin Evropian, është vendi i samiteve ndërkombëtare dhe mikpritëse e miliona turistëve.

Shqipëria sot është vendi ku reforma në drejtësi po i jep fund kulturës së pandëshkueshmërisë. Shqipëria sot mundëson dhe i jep fuqi votës së Diasporës.

Ndonëse dëshirat tona mund të ndryshojnë, të gjithë ndajmë të njëjtën shpresë e vizion.

Reformat që do të përgatisin Shqipërinë e së nesërmes kërkojnë përpjekje dhe angazhim nga secili prej nesh.

Shqipëria ka nevojë për një politikë më aktive, transparente dhe llogaridhënëse.  Vendi ka nevojë për zyrtarë me integritet dhe institucione të forta, që garantojnë vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Si shtet e shoqëri, duhet të fokusohemi te sfidat afatgjata, me qëllim nxitjen e reformave konsensuale dhe të qëndrueshme për ngushtimin e hendekut social midis brezave, zonave dhe shtresave shoqërore.

Mbi të gjitha, kemi nevojë për forcimin e rolit të familjes, mirëarsimimin, mirëedukimin dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Një mesazh të veçantë kam sot për brezin e ri:

Përqafoni risitë, por lidhuni fort me trashëgiminë e popullit tuaj dhe, mbi të gjitha, duajeni, mësojeni e mbrojeni mirë shqipen e bukur të trojeve tona.

 Studioni, punoni e jetoni ku vlerësoni se arrini objektivat tuaja, por mos i shkëpusni asnjëherë lidhjet me vendin tuaj, vendin e prindërve, gjyshërve, familjarëve tuaj, Shqipërinë krenare, Shqipërinë bujare, Shqipërinë e bukur.

Të dashura motra dhe vëllezër,  Të gjithë ne e duam Shqipërinë të zhvilluar, të sigurt, demokratike dhe evropiane.

Viti zgjedhor 2025 është test për ne për të treguar se kemi mësuar nga gabimet e të shkuarës dhe se kemi aftësinë të shohim përpara. Kemi mundësitë dhe kapacitetet.   Koha na kërkon të bëjmë gjithçka për të arritur objektivat tona.

Si President, prind, bashkëshort dhe familjar, bashkohem sonte me urimet më të përzemërta për ju, familjet tuaja, miqtë, për shtetin dhe shoqërinë tonë.

Gëzuar Vitin e Ri 2025!

Ora 11:28
Viti i Ri/ E dërguara me punë e SHBA uron në shqip: Vijojmë bashkëpunimin! Krenarë për çfarë bëmë bashkë në 2024

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përcolli një mesazh urimi në prag të ndërrimit të viteve.

E dërguara me punë e SHBA, Nancy VanHorn tha se SHBA është krenare për arritjet në bashkëpunim me Shqipërinë përgjatë 2024 ndërsa bashkëpunimi theksoi ajo do të vijojë edhe në 2025.

Ambasada shpërndau edhe disa prej arritjeve, të cilat kulmuan me shpalljen kampion të antikorrupsionit të kreut të SPAK Altin Dumanit nga Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken. 

"Në mbyllje të vitit 2024, kthehemi pas në disa nga çastet e rëndësishme që kanë thelluar partneritetin midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Shikoni këtë video për t’u rikthyer në disa nga ngjarjet kryesore nga udhëtimi ynë i përbashkët. Urime për një vit me mundësi të reja dhe miqësi të forta", shkruan ambasada e SHBA. 

S.B/A.Q/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A jeni dakord me vendimin e gjykatës për detyrim paraqitje të Berishës?



×

Lajmi i fundit

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet

Francë/ Mbledhja e parë të Këshillit të Ministrave të qeverisë Bayrou, Marcon bëri thirrje për guxim dhe stabilitet