TIRANE - Kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, me rastin e nisjes së vitit të ri shkollor, ishte sot në gjimnazin “Eqerem Çabej”, ku krahas urimit për nxënësit e kësaj shkolle, përuroi edhe rikonstruksionin e saj nga ana e Bashkisë së kryeqytetit.

Në fjalën e tij Basha theksoi se kjo është një ndër tre shkollat e rikonstruktuara totalisht nga ana e Bashkisë. Gjithashtu kryebashkiaku, uroj nxënësit për nisjen e këtij viti shkollor, duke shtuar se qyteti i Tiranës i ka sytë tek të rinjtë për një të ardhme evropiane.

Fjala e kreut të Bashkisë Tiranë Lulzim Basha

“Shpresoj që dëshira e madhe për të rifilluar shkollën t’ju zmadhohet edhe më shumë, pasi ju jeni një ndër tre shkollat totalisht të restauruara. Mbi të gjitha me një përkushtim të ri, atë të nxënjes, të mësimit, përgjegjësi që e keni për ju në radhë të parë, për familjen tuaj, dhe për qytetin tuaj që sytë i ka tek ju, për një ardhme evropiane. Ndaj duke ndarë me ju kënaqësinë e ditës së parë të shkollës, ju uroj një vit sa më të mbarë shkollor.” tha Basha

Sipas Bashkisë, “Eqerem Çabej” është e 14-ta shkollë e mesme e përgjithshme e Tiranës, ku janë instaluar një sistem monitorimi me kamera, për të rritur sigurinë në shkolla. Projekti konsiston në vëzhgimin pamor 24 orë të të gjithë ambienteve të jashtme të gjithë perimetrit të shkollës, ruajtjen e këtyre imazheve deri në 30 ditë.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)