Të pranishëm në këtë takim janë kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiç, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, i Bosnje dhe Hercegovinës Denis Zvizdiç, kryeministrin i Maqedonisë Zoran Zaev, i të Malit të Zi Dushko Markoviçm, si edhe Komisioneri Europian për zgjerimin Johanes Hahn dhe numri dy i Bankës Botërore për rajonin.
Pas përfundimit të diskutimeve në sesionin e parë, kryeministri Edi Rama dhe komisionari Johannes Hahn dolën në një deklaratë për mediat për të folur konkretisht për projektet, por edhe për problemet që shqetësojnë Shqipërinë dhe Ballkanin në muajt e fundit.
Kryeministri Rama u ndal te raporti i Holandës për vizat, ndërsa Hahn u kërkoi shqiptarëve që të mos kërkojnë azil, pasi dëmtojnë vendin dhe hapjen e negociatave duke shtuar se akoma nuk ka një datë për çeljen e bisedimeve për integrimin e Shqipërisë.
Zona Ekonomike, Rama-Hahn: Plan me 115 pika, treg i përbashkët në Ballkan
Kryeministri Edi Rama dhe komisioneri Hahn deklaruan se synimi i takimit të sotëm është krijimi i një zone ekonomike të përbashkët, e cila ka për qëllim rritjen e nivelit të punësimit dhe mirëqenies, heqjen e barrierave mes vendeve dhe më pas integrimin në BE.
“Është një moment me shumë rëndësi është e qartë që kemi një plan veprimi me rreth 115 pika në funksion të një transformimi në kuadrin e lëvizjes së mallrave, shërbimeve dhe punonjësve të kualifikuar për ta bërë rajonin më tërheqës për investimet duke përshpejtuar afrimin me BE, por edhe mirëqenien.
Jemi shumë të inkurajuar nga fakti që në nivelin politik ka një dakordësi të plotë, me komisionin ka një sinergji të plotë, BB është përfshirë me kërkesën tonë, BERZH është në dispozicion. Ky reflektim do të na vlejë për një anxhendë më intensive për lëvizjen e mallrave për shmangien e barrierave. Për të rritur maksimalisht përfitimet nga lëvizja e lirë e shërbimeve për të fuqizuar ekonominë dixhitale.
Ky është një proces historik, rrugët, hekurudhat dhe linjat energjetike dhe projektet nuk bëhet si rrugën që bënim ne si para ca vitesh, që bëhen sot dhe nesër nuk i ke aty, duhet studim dhe më pas konkretizim të kontratave. 4 vite janë shumë, pasi kemi kohë që presim, por janë normale për atë që po ndërtojmë” deklaroi Rama.
Ndërsa komisioneri Hahn u shpreh se vëmendja e BE në Ballkan është e madhe.
“Sot diskutuam se si të zbatojmë planet e përbashkëta ekonomike, për të cilat kemi rënë dakord në Trieste. Sot ky takim informal tregoi se ka një rritje të vëmendjes të shteteve dhe të qeverive për procesin e Berlinit.
BE- ja i mbështet të gjitha vendet në aspiratat e tyre drejt integrimit evropian. Gjithashtu ne duam të rritet cilësia e jetës në këto vende. Edhe pse qytetarët ndonjëherë bezdisen nga kërkesat tona për zgjedhjet të lira dhe reformat në sistemin e drejtësisë, duhet të dinë se ato reforma janë të mira për vet ata.
Ka një marrëveshje për të nominuar koordinator rajonal, dhe si u tha nga kryeministri, çdo kryeministër duhet të kujdeset për këtë reformë. Çdo vend duhet të nominojë koordinatorët e tyre për të zbatuar këtë reformë.
Kam qenë shumë i ashpër me secilin vend dhe për herë të parë kemi pasur projekte konkrete, që do të zgjerohen. Kemi filluar të ndërtojmë autostrada dhe disa projekte te tjera në fushën e energjisë.
Hapi tjetër është zona ekonomike rajonale, në Paris kemi rënë dakord për një iniciativë të tillë, që të rinjtë të punojnë në vende të tjera të rajonit dhe po prodhon rezultate konkrete. Ka rezultate konkrete, disa më të dukshme dhe disa jo.
Prioriteti kyç tani është që të krijohet një zonë ekonomike dhe të nxitet rritja ekonomike dhe më shumë punësim për njerëzit. Çdo gjë bëhet në interes të qytetarëve, prandaj ne po fokusohemi tek zona ekonomike rajonale.
Tregtia mes vendeve nuk është rritur dhe mund të themi se ka shumë potencial, por duhet investuar dhe ka një marrëveshje për të emëruar koordinator rajonal. Në çdo zyrë duhet të ketë koordinues për marrëveshjet ekonomike dhe ne po bëjnë ç’të mundemi për të bërë që këto marrëveshje të zbatohen” deklaroi ai.
Hahn: S’ka datë për anëtarësimin, presim rezultatet e Vettingut
Johannes Hahn deklaroi nga Durrësi se nuk ka një datë për hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa kërkoi që të zbatohet Vettingu dhe të luftohet korrupsioni, pasi tani nuk ka me justifikime.
Hahn kërkoi nga shqiptarët që të mos kërkojnë azil në vendet e BE, pasi dëmtojnë vendin në procesin e integrimit.
“Zgjedhjet e drejta dhe transparente kanë qenë një kusht për të ecur përpara. Tani nuk ka më asnjë justifikim që mund të përdoret.
Tani mund të shkojmë drejt zbatimit dhe tani do të shohim rezultatet e para konkrete te Vettingut. Do të ketë një rekomandim për Shqipërinë, por nuk dua të them ndonjë datë. Do të jetë zgjuarsia politike ajo që do ta vendosë këtë.
Të jeni të siguritë që ekipi ynë është i vendosur për ta çuar Shqipërinë para dhe kjo është arsyeja që kemi shpenzuar kaq shumë energji gjatë këtyre muajve të fundit” deklaroi Hahn.
Hahn ka drejtuar edhe një thirrje publike për shqiptarët të cilët kërkojnë azil në vendet evropiane, duke thënë se "Është e pabesueshme që sot qytetarët e Shqipërisë të marrin azil në vendet e Bashkimit Europian. Ju lutem mos e bëni pasi dëmtoni edhe vendin tuaj, duke krijuar identë se Shqipëria nuk është gati të behet pjesë e Bashkimit Europian”.
Hanh gjithashtu shtoi se disa vende Europiane ishin duke e njohur përpjekjen e Shqipërisë për të ulur numrin e azilkërkuesve në Europë.
Rama i kthen përgjigje Holandës për vizat
Kryeministri Edi Rama nga Samiti me kryeministrat e Ballkanit në Durrës u është përgjigjur autoriteteve holandeze për raportin që kanë hartuar, ku kërkojnë që të pezullohet lëvizja e lirë për shqiptarët për shkak të nivelit të lartë të kriminalitetit.
Rama deklaroi se refuzon shënjestrimin e shqiptarëve, pasi kriminelët nuk kanë kombësi, ndërsa shtoi se ky është një justifikim si në rastin e Britanisë së Madhe për të dalë nga BE.
“Dua ta them për opinionin publik se unë refuzoj ta pranoj shënjestrimin e shqiptarëve, qofshin ata azilkërkues, apo ata që kryejnë krimin, si një arsye për të treguar me gisht Shqipërinë. Kriminelët janë kriminel, kudo dhe pa dallim. Nuk ka flamur, kombësi, ka thjesht raport me ligjin. Refuzoj çdo përpjekje politike, mediatike të vendeve të BE, për të treguar me gisht, shqiptarët.
Holanda është një shtet, një mbretëri nuk kemi problem as me Holandë dhe as me një shtet tjetër. Unë flas për mënyrën sesi në media apo përmes zërave që kanë axhendat e tyre në BE, targetohen të ardhurit nga vendet e tjera, po ashtu edhe shqiptarët. Në momentin që një etni lidhet me krimin, kjo është e papranueshme. Nëse ka kriminelë në Europë ata kanë të gjitha pasaportat e mundshme dhe cdo shtet ti cojë para drejtësisë. Por propagandimi nuk ka lidhje me Europën që duam.
Më lejoni t'u them, janë 700 mijë polakë në Angli dhe 650 mijë nga gjithë Ballkani dhe për të propaganduar daljen nga BE u përdor Ballkani dhe shqiptarët. Kjo nuk ka lidhje me realitetin, pasi problemi është se qytetarët e rajonit dhe Shqipërisë nuk ka shans të marrin azil në BE. Është rënie pre e rrjeteve kriminale, dhe kërkimi i një pune jashtë është gjëja më normale dhe do të vijojë që të ndodhë.
Ne duhet të bëjmë pjesën tonë, por as nuk bëhet fjalë që të pranzojmë të identifikohemi për propagandë për kriminalet, të cilët nuk kanë atdhe. Ne merremi me kriminelët në Shqipëri dhe nuk i ndajmë, ata të merre në vendet e tyre dhe të mos na shqetësojnë me këto ndarje, pasi janë pa lidhje për Europën ku jetojmë” deklaroi kryeministri Edi Rama.
Rama: Vettingu, luftë korrupsionit dhe azilkërkuesit
Rama ka zbuluar gjatë fjalës së tij se me komisionarin Hahn ka diskutuar për Vettingun, luftën kundër korrupsionit, fenomenin e azilkërkuesve dhe hapat për hapjen e negociatave me BE.
Kryeministri u shpreh se nuk ka shqiptarë azilkërkues, por shqiptarë që largohen për një jetë më të mirë në kërkim të një pune në Europë, ndersa historia me kanabisin mbyllet se shpejti.
“Shkëmbyem me Hahn opinionet për statusin aktual të Shqipërisë me BE, folëm për zgjedhjet si një moment me rëndësi i kapërcyer me sukses, folëm për vullnetin për të vazhduar ajo që u nis si një qasje e re mes qeverisë dhe opozitës.
E njoha me planin e këtij mandati në funksion të reformave, një transformimi të shërbimeve, luftë korrupsionit, domosdoshmëri vettingu për Shqipërinë dhe përshpejtimin e procesit të integrimit.
Ndamë pikëpamjen se përpjekja për të kufizuar fluksin e azilkërkuesve po jep rezultate inkurajuese dhe nuk ka shqiptarë azilkërkues, por shqiptarë në kërkim të një pune dhe një jete më të mirë në një treg pune ku shqiptarët nuk e kanë lirinë dhe ky është kufizimi që gjendet nga pozicioni që gjendemi.
Duhet të përshpejtojmë procesin e integrimit dhe së fundmi ndamë pikëpamjen se po bëhet një punë fantastike në luftën kundër kanabisit. Ky do të jetë viti që e mbyll këtë histori.
BE do të financojnë edhe një muaj më shumë fluturime. Në fund të këtij sezoni Shqipëria do të dalë nga harta e vendeve problematike për kanabisin” përfundoi Rama.
Rama: Jemi me shpenzimet tona, s’na ftoi Brukseli
Nuk munguan edhe ‘thumbimet’ nga Rama për Bashkimin Europian për shpenzimet e samitit, ndërsa shtoi se nuk kemi nevojë për tutor për ta organizuar.
“S’na ka ftuar Brukseli. Ne kemi ftuar Brukselin dhe jemi këtu me shpenzimet tona. S’ka nevojë të kemi tutor për të organizuar.
Por nuk duhet të harrojmë se Brukseli është jetik dhe bashkëpunues. Jam mirënjohës që Hahn e pranoi ftesën.
Se dimë se kush mori më shumë lekë nga bankomati. Këto takime bëhen për secilin vend”tha Rama.
Rama: Do të ecim më shpejt, ekonomi dhe punësim
Pasdite Rama ka reaguar sërish përmes një statusi në Facebook, teksa shprehe se ka qenë një ditë e mirë për rajonin dhe për Shqipërinë.
“Ditë e mirë pune për rajonin e për Shqipërinë. Qoftë me bashkëpunimin rajonal qoftë me integrimin europian, do të ecim më shpejt.
Për më shumë ekonomi dhe punësim. Për #ShqipërinëqëDuam” shkruan kryeministri shqiptar në Facebook.
Rama sërish me atlete të bardha
Pavarësisht kritikave, kryeministri Edi Rama edhe në takimin e sotëm me kryeministrat e Ballkanit, që po zhvillohet në Durrës ka zgjedhur të vishet me kostum si dhe atlete të bardha.
Rama batuta për kollaren, zyrtari i Bankës Botërore e heq
Takimi sot në Durrës ka filluar me një batutë nga Rama për Cyril Muller, Zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.
Pasi zbriti nga makina dhe po i drejtohej vilës qeveritare, Rama iu drejtua me fjalët ‘Pranohen vetëm pa kollare’.
Ndërsa Cyril Muller ktheu batutën “Do të jem shumë i lumtur që ta heq …”... Disa minuta me pas ne foton zyrtare Cyril Muller e kishte hequr kollaren.
Fotoja zyrtare, Cyril Muller ka hequr kollaren
[gallery]23633[/gallery]
Zhvillimet minutë pas minute nga Samiti i Durrësit
Ora 17:15 Samiti, policia: Masa për të parandaluar akte të mundshme terrorist
Policia e Shtetit ka marrë masa maksimale për Samitin me Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor që po zhvillohet në Durrës.
Ora 17:10 Samiti ne Durrës, reagon Basha, akuzon Ramën
Kreu i partisë demokratike, Lulzium Basha, ka reaguar sot në facebook për numrin e larët të azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE.
Ora 17:00 Kryeministrja e Serbisë intervistë për REPORT TV
E pranishme në samitin e liderëve të Ballkanit në Durrës, kryeministrja serbe Ana Brnabiç theksoi se Kosova është pjesë e Serbisë dhe për këtë arsye Beogradi e kundërshton fort antarësimin e Kosovës në UNESCO.
Ora 10:30 Johannes Hahn; Prioritet punësimi dhe integrimi në BE
Johannes Hahn është shprehur se prioritet është krijimi i zonës ekonomike dhe rritja e punësimit.
“Prioriteti kyç tani është që të krijohet një zonë ekonomike dhe të nxitet rritja ekonomike dhe më shumë punësim për njerëzit.
Në samit do të diskutohet edhe për hapat e ardhshëm në rrugën e anëtarësimit në BE”, tha Hahn.
Ora 10:15 Fotoja zyrtare me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor në Durrës
Ora 10:05 I fundit mbërrin kryeministri i Malit të Zi
[gallery]23624[/gallery]
Ora 10:00 Arrin kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiç
[gallery]23626[/gallery]
Ora 09:55 Mbërrin zëvendës Presidenti i Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore
Ora 09:50 Mbërrin edhe kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev
[gallery]23628[/gallery]
Ora 09:45 Kryeministri i Kosovës, Mustafa mbërrin i pari në vilën qeveritare, pritet nga Rama
[gallery]23623[/gallery]
[gallery]23622[/gallery]
Ora 09:45 Të pranishëm në samit është edhe ministri i Energjisë, Damian Gjiknuri dhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati
Ora 09: 25 Mbërrin në vilën qeveritare kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa
[gallery]23621[/gallery]
Ora 9:20 Siguri maksimale në vilën qeveritare në Durrës, ku po zhvillohet Samiti
Ora 09: 17 Priten debate mes kryeministrit të Maqedonisë dhe asaj tëSerbisë
Gjatë samitit pritet të ketë edhe një ballafaqim mes kryeministrit të Maqedonisë dhe kryeministres së Serbisë, në lidhje me tensionet e fundit mes vendeve, ku Serbia ka larguar edhe trupin diplomatik nga Shkupi.
Ora 9:12 Samiti nis punimet në orë 09:40
Samiti i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor do të nisi punimet në orën 09:40.
[gallery]23627[/gallery]