Vizita e anijes 'Fateh Al Khair 4'/ Veliaj: Tirana një qytet i hapur; sporti, arti dhe kultura i bashkojnë kombet

Kryeqyteti  mirëpriti mbrëmë ekipin e ekuipazhit të anijes katariane me vela "Fateh Al Khair 4", që po viziton brigjet e Mesdheut për të promovuar Kampionatin Botëror “Katar 2022”. Ndonëse një qytet jo bregdetar, Bashkia e Tiranës dhe Ambasada e Katarit zgjodhën Tiranën si një nga ndalesat e turit të ekuipazhit, për të përcjellë mesazhin se sporti, kultura, muzika dhe arti i bashkon kombet, pavarësisht ndryshimeve kulturore mes tyre.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj falenderoi miqtë nga Katari,  që nëpërmjet një anije të vjetër katariane, përpiqen të sjellin te qytetarët e vendeve të Mesdheut atmosferën që i pret të apasionuarit pas futbollit në Kampionatit Botëror 2022, i cili do të mbahet për herë të parë në vendet arabe.

"Sporti, kultura, muzika dhe arti i bashkon kombet. Tirana është një qytet i hapur, ju mirëpresim krahëhapur, me zemër të hapur dhe me mendje të hapur. Në një botë ku flitet kaq shumë për përçarje, kemi shumë nevojë të flasim për bashkëpunim, vëllazëri dhe bashkim. Ne jemi i vetmi qytet ku ata kanë ardhur, që nuk jemi port, nuk kemi det. Falë këmbënguljes së ambasadorit, kemi sot një nga skuadrat më unike që promovon kampionatin e botërorit “Katar 2022”. Tirana është një qytet i hapur, ju mirëpresim krahëhapur, me zemër të hapur dhe me mendje të hapur. Kemi filluar disa aktivitete me ambasadën e Katarit, po rregullojmë disa shkolla, po duam shumë që nën frymën e Kampionatit Botëror, të fokusojmë një pjesë të energjive për të kultivuar sportin. Është vetëm fillimi i një marrëdhënieje afatgjatë për të kultivuar dhe për të forcuar frymën sportive”, tha kryebashkiaku Veliaj gjatë ceremonisë së mikpritjes.

Sipas Veliajt, organizimi i një eventi kaq të madh sportiv si Kampionati Botëror shërben për të nxitur të rinjtë të merren me sport, pasi bën që të kemi një trup më të shëndetshëm dhe u mësohet të rinjve si të luajnë dhe punojnë në skuadër, të dinë të pranojnë si fitoren edhe humbjen.

Jo të gjithë, vetëm disa nga ata që merren me sport bëhen kampionë dhe luajnë në Champions League; 99% e të tjerëve kanë nevojë të luajnë në skuadër, të mësojmë si humbasim dhe si fitojmë. Jeta i ka të dyja. Të mësojmë se si gjërat bëhen më bashkë kur bëhen në grup, në skuadër, kur i pasojmë njëri-tjetrit, kur i japim dorën njëri-tjetrit. Kjo është fryma që na vjen nga ekipi ynë dhe skuadra e anijes nga Doha, për të promovuar lojërat dhe kampionatin botëror të futbollit”, shtoi kryebashkiaku, duke falenderuar ambasadorin e Katarit në vendin tonë, Ali bin Hamad Al-Marri, për bashkëpunimin që ka treguar në zbatimin e një sërë projektesh në Tiranë.

Ambasadori i Katarit, Ali bin Hamad Al-Marri shprehu mirënjohje të veçantë për Bashkinë e Tiranës, për mikpritjen dhe aktivitetet e organizuara në promovimin e Kampionatit Botëror “Katar 2022”. Sipas tij vizita e anijes në Shqipëri është një tregues i qartë dhe një vlerë e shtuar në marrëdhëniet e ngushta midis dy vendeve dhe popujve tanë miq." Udhëtimi i "Fateh Al Khair 4" synon të prezantojë trashëgiminë detare, kulturën dhe civilizimin e Shtetit të Katarit, si dhe të promovojë Kupën e Botës "Katar 2022". Anija me vela na kujton gjithashtu kohët e etërve tanë të parë, që ishin të lidhur ngushtë me detin për të siguruar jetesën.", shtoi ambasadori i Katarit.

Sipas njoftimit të bashkisë, pas një qëndrimi dyditor në Sarandë, ndalesës në qytetin e Durrësit, tani aktivitetet e lidhura me lundrimin "Fatah Al Khair 4" janë transferuar në Tiranë, ku janë organizuar një sërë eventesh për promovimin e Kampionatit Botëror, si dhe për forcimin e miqësisë mes dy popujve. Dje në mbrëmje, u organizua një koncert nga Ansambli Tirana me këngë e valle tradicionale tiranase, ndërsa gjatë ditës së sotme do të mbahen një sërë organizimesh të tjera, që do kulmojnë në mbrëmje me kampionatin “Kupa e Miqësisë Tirane-Doha” që do mbahet të Parku i Liqenit Artificial.

Fotot e kryebashkiakut Veliaj me ekuipazhin e anijes nga Katari

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?