Vizita e Kerryt në Tiranë përplas 
 Ramën e Berishën në Kuvend

Vizita e Kerryt në Tiranë përplas <br /> Ramën e Berishën në Kuvend
TIRANË - Vizita e sekretarit amerikan të shtetit Xhon Kerry këtë të diel në Tiranë ka provokuar debate të ashpra në Parlament. Pasi e akuzoi kryeministrin Rama për qëndrim kundër Amerikës, deputeti demokrat Sali Berisha i kërkoi shefit të qeverisë që të pranojë kërkesën e Kerryt për të strehuar të gjithë muxhahedinët iranianë. Sipas Berishës, qeveria Rama i ka refuzuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës për armët kimike si dhe me qëndrimin kundër partnerëve amerikanë në OKB lidhur me rezolutën e Palestinës.

"Sekretari i shtetit John Kerry në 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë vjen për vizitë zyrtare të shkurtër por zyrtare dhe shumë të rëndësishme në Shqipëri. Ajo që unë kërkoj sot është që ti premtohet sekretarit Kerry që të merren që të gjithë muxhahedinët. Votën që duhet ta japim për çështjet e sigurisë ne ja kemi dhënë gjithmonë ndërsa ju nuk ja dhatë dhe bëtë një gabim shumë të rëndë, mashtrimin tjetër e bëtë me armët kimike dhe për atë e latë në baltë. Për vizitën e sekretarit Kerry unë duhet të dënoj aktin tuaj të papërgjegjshëm që urdhëron antenat tua në media për të nxjerrë pranë ditës së kësaj vizite zonjën, korbën e zezë të shqiptarëve, Nexhmije Hoxhën në një emision televiziv prej tre orësh", tha Berisha.

Ndërsa kryeministri Rama e quajti paraardhësin e tij hapur gënjeshtar, duke i kërkuar që të mos gënjejë për çështje globale. Rama shpjegoi gjatë fjalës së tij arsyet e shtyrjes së vizitës së Kerryt e planifikuar vitin e kaluar, ndërsa iu drejtuar deputetit Berisha se është i vetmi që në të njëjtin fjalim për Amerikën, flet edhe për Nexhmije Hoxhën.
 
"Përsa i përket vizitës së Sekretarit të Shtetit, sërish the gjëra të pavërteta. Vizita e Sekretarit të Shtetit ishte planifikuar të bëhej në fund të vitit të shkuar, në kuadër të vizitave që Sekretari Kerry bëri në rajon. Stacioni i Shqipërisë, që ishte stacioni përfundimtar, u anulua për shkak të impenjimeve të Sekretarit të Shtetit në negociatat me Iranin. Faktikisht, ndryshe nga çfarë i propaganduat ju në mënyrën më të paturpshme shqiptarëve, që “ai vizitoi të gjithë rajonin dhe bojkotoi regjimin e oligarkëve të Tiranës”, impenjimi ishte i qartë që vizita do të kryhej në kohën më të përshtatshme, në fillim të këtij viti. Ti i di mirë, - por nuk le njeri pa futur në atë vorbullën tënde dhe vetëm ti mund të mbash fjalime ku në të njëjtin fjalim flet për Nexhmije Hoxhën dhe për John Kerry, tjetërkush në botë nuk bën këtë, - që Sekretari i Shtetit nuk vjen për të kërkuar ato që the ti. Në atë aspekt nuk ka asnjë problem mes nesh dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është një vazhdë e një angazhimi që ne e respektojmë dhe do të vazhdojmë ta respektojmë. Zoti Kerry vjen këtu, sepse është  një vizitë e planifikuar për të vizituar Shqipërinë edhe në kuadrin e kontakteve me rajonin dhe në kuadrin e marrëdhënies së ngushte mes SHBA dhe Shqipërisë, që tanimë kanë firmosur edhe një dokument të partneritetit strategjik.

Po ashtu mos e përsërit më gënjeshtrën e votës në Këshillin e Sigurimi. Të paktën gënje për çështje lokale, por mos gënje për çështje globale. Ne nuk mund të të ndalojmë të gënjesh, se ti gënjeshtrën e ke profesion, por mos gënje për çështje globale dhe mos përfshi edhe miqtë dhe partnerët e Shqipërisë në botën e gënjeshtrave. Gënje për këto punët e  brendshme, por mos gënje për marrëdhëniet ndërkombëtare, se është turp më i madh sesa për punë e brendshme.

Kjo është një gënjeshtër qesharake. Nuk kemi bërë ne asnjë devijim vote dhe qëndrimesh në raport me SHBA-në dhe nuk kemi ndërmend ta bëjmë. Asnjëherë nuk kemi marrë meritën për këtë dhe asnjëherë nuk kemi thënë që jemi me të mirë se ju në këtë pikë. Ky është një qëndrim që reflekton qëndrimin e popullit shqiptar, socialist apo demokrat, që në këtë aspekt nuk ka dallime. Çfarë diferencash kërkon të bësh këtu?! Ku do të dalësh e përse i bën këto?! Sepse nuk ke asnjë respekt për popullin tënd, këtu është problemi! Kujton se shqiptarët janë dele që mund t’i marrësh e t’i çosh nga të duash", tha Rama.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    PD paralajmëron protesta, bllokim rrugësh e kaos në Kuvend, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois

VIDEO/ Ndërpritet derbi i Madridit, Reali i shënon Atleticos! Tifozët hedhin sende të forta kundër Courtois