Vizita e papritur e drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe, në Moskë këtë javë dyshohet se kishte si një nga qëllimet kryesore paralajmërimin e Rusisë që të mos ndërmarrë ndonjë sulm ndaj një vendi anëtar të NATO-s.
Sipas Wall Street Journal, Ratcliffe u përpoq të dekurajonte Moskën nga çdo veprim ushtarak kundër Aleancës, në një kohë kur agjencitë amerikane të inteligjencës vlerësojnë se Rusia mund të jetë duke u përpjekur të “testojë” unitetin dhe vendosmërinë e NATO-s.
Paralajmërimi vjen pas vlerësimeve të reja të inteligjencës amerikane, sipas të cilave Vladimir Putin mund ta testojë vendosmërinë e NATO-s me një sulm të kufizuar kundër një vendi anëtar në vitet e ardhshme.
Politico gjithashtu e konfirmoi këtë lajm, duke cituar burime që u shprehën se Ratcliffe diskutoi gjithashtu për Iranin, duke i kërkuar Rusisë që të ndërpresë mbështetjen e saj ekonomike dhe ushtarake.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump e minimizoi rëndësinë e vizitës së Ratcliffe në Moskë, duke e cilësuar atë si “gjysmë rutinë”. Në një intervistë me komentatorin konservator Glenn Beck, Trump tha se qëllimi kryesor ishte diskutimi për luftën në Ukrainë.
“Ne do të donim që lufta në Ukrainë të mbaronte”, deklaroi presidenti amerikan.
Megjithatë edhe pas kësaj vizite, tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë. Forcat ruse goditën një anije që transportonte pajisje ushtarake për në Ukrainë, në portin e Izmail.

Foto: Volodymyr Zelensky dhe Keith Kellogg
Ish-i dërguari special i presidentit amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, tha në një intervistë televizive në Ukrainë se Presidenti rus Vladimir Putin nuk ka ndërmend ta përfundojë luftën në Ukrainë dhe nëse i jepet mundësia, do të kërkojë të pushtojë territor shtesë.
"Vitin e kaluar, në Ditën e Pavarësisë, kur isha këtu, mendova se gjithçka do të zgjidhej brenda një viti. Problemi me këtë luftë është se Putini thjesht nuk dëshiron ta ndalojë atë. Nuk i besoj Putinit dhe nuk mendoj se ai do të ndalet këtu. Ai do të përpiqet të ecë përpara", tha Kellogg.
Megjithatë, sipas ish-i dërguarit të SHBA-së, Rusia nuk do të jetë në gjendje ta fitojë luftën.










Komente
Komento