ATHINE- Masa drakoniane sigurie për vizitën e ministrit gjerman në Greqi. Bllokohet kryeqyteti helen, ndalohen manifestimet, mbyllen stacionet e Metrosë, patrullime nga ajri, por edhe forca të panumërta policie blindojnë Athinën.
 
Ka përfunduar vizita zyrtare e ministrit gjerman të Ekonomisë, Schauble në Athinë. Pas një takimi “flash” në kryeministri dhe prezencës së tij në Forumin e Shoqatës tregtare e Industriale Greko- Gjermane, ku është takuar me bankierë, Schauble është takuar me ministrin grek të Ekonomisë, Shturnaras, ku është nënshkruar Memorandumi ndërmjet Greqisë dhe Bankës Gjermane të zhvillimit, KfW për krijimin e Institutit të Zhvillimit (Institut of Growth).
 
Në mes të reagimeve të fuqishme sociale, një ditë pas votimit të projektligjit, i cili vendosi për mënyrën e largimit të mijëra nëpunësve shtetërorë nga puna, por edhe ligjin e ri tatimor, ministri gjerman i Ekonomisë ka shprehur besimin e tij tek pala greke dhe ka përgëzuar, por edhe mbështetur reformat që duhet të ndërmarrë e të thellojë Greqia.
Ministri gjerman deklaroi se për Greqinë, problemi më i madh vazhdon të ngelet sektori publik e shtetëror.
 
“Gjermania është e gatshme  të investojë para, qysh nga momenti që do të funksionojë arka e zhvillimit dhe e prosperitetit në Greqi”, ka shtuar ai duke përmendur se do të investohet në biznesin e mesëm të shtetit helen.
 
DEMSHPERBLIMET E LUFTES SE DYTE BOTERORE
Përsa i përket çështjes së dëmshpërblimeve që duhet të marrë Greqia nga Gjermania për dëmet dhe viktimat e nazizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe për pagimin e kredisë së prepambetur që Gjermania Naziste mori prej Greqisë, në takimet e zhvilluara nuk është thënë asnjë fjalë.

Dhe kjo gjë është bërë, pasi përpara se të niste vizitën e tij në Greqi, Schauble kishte deklaruar qartë për palën greke se nuk kishte ndërmend të diskutonte për çështjen e dëmshpërblimeve, të cilat Gjermania i konsideron si të paqena dhe çështje të mbyllur.

Ai ka deklaruar se nuk beson se pala greke synon apo mendon ta prekë këtë çështje, por ka lëshuar mesazhin e qartë qeverisë greke se: “Greqia e grekët duhet ta kenë vështrimin nga e ardhmja dhe jo nga e kaluara!”
 
DHURATA GJERMANE
E vetmja gjë, të cilën pret Athina zyrtare, veç mesazheve mbështetëse, është nënshkrimi i një memorandumi mirëkuptimi (MoU), i cili pritet të nënshkruhet ndërmjet Greqisë dhe Bankës gjermane të zhvillimit KfW, për krijimin e një Instituti Grek të Zhvillimit (Institut of Growth).

Në këtë projekt pala gjermane do të marrë pjesë vetëm nëse Greqia do të përmbushë të gjitha objektivat e saj financiare dhe detyrimet që rrjedhin nga nënshkrimi i marrëveshjeve të deritanishme. Greqia duhet të paraqesë në Business plan dhe po qe se kjo gjë nuk arrihet atëherë Gjermania nuk ka ndërmend të marrë pjesë në këtë projekt me 100 milionë euro. Në këtë projekt Berlini kërkon që të përfshihen edhe shtete të tjera europiane.

Gjithashtu është folur edhe për mbështetjen teknike të Gjermanisë në reformimin tatimor në Greqi si dhe në programin e privatizimeve, por edhe në koordinimin e palës gjermane me Task Force.
 
MASA DRAKONIANE SIGURIE
8 tetor 2012, Angela Merkel viziton Athinën, në mes të trazirave sociale, me Drejtorinë e Përgjithshme të Atikës të imponojë ndalimin e çfarëdo trajte manifestimi e proteste.

17 korrik 2013, një ditë përpara mbërritjes së ministrit gjerman të ekonomisë në Athinë, policia nxitoi të arrijë manifestuesit e revoltuar, të cilët po i rezervnin Soibles një pritje të “nxehtë”! U vendos nga ana e policisë që nga ora 09.00- 20.00, në Athinë të ndaloheshin të gjitha manifestimet e protestës.

Hyrja në qendër të Athinës pothuajse ishte e pamundur, pasi u bllokua një pjesë e madhe e kryeqytetit helen, u blindua si nga ajri ashtu edhe nga toka. Gjithashtu u mbyllën të gjitha stacionet e metrosë, ndërkohë që nuk qarkullonin në qendër as makinat e vogla, as mjetet e transportit urban.

Kjo situatë do të vazhdojë edhe disa orë pas përfundimit të vizitës zyrtare të W. Soible në Athinë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)