Vizita e parë e një presidenti izraelit në Shqipëri, Spiropali: Miqësia mes vendeve tona është historike dhe ka kaluar përmes provash të forta

Vizita e parë e një presidenti izraelit në Shqipëri, Spiropali: Miqësia mes vendeve tona është historike dhe ka kaluar përmes provash të forta

Isaac Herzog dhe Elisa Spiropali

Foto: Isaac Herzog dhe Elisa Spiropali

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot Presidentin e Izraelit, Isaac Herzog, në Kryesinë e Kuvendit, gjatë vizitës së tij zyrtare në Shqipëri.

Kjo është hera e parë që një president izraelit viziton Shqipërinë, duke shënuar një moment historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Në takim morën pjesë anëtarët e grupit të miqësisë me Knesetin: Zëvendëskryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, kryetarja e grupit të miqësisë Blerina Gjylameti, deputetët Blendi Klosi dhe Oerd Bylykbashi, si dhe Ambasadorja e Shqipërisë në Izrael, Meri Kumbe, dhe Ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg.

Gjatë fjalës së saj, Spiropali theksoi krenarinë e shqiptarëve për marrëdhëniet historike me hebrenjtë. Në kohë të vështira shqiptarët e të gjitha besimeve kanë mbrojtur hebrenjtë nga përndjekjet, sidomos prej nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kanë rrezikuar jetën dhe familjet e tyre, por hebrenjtë nuk i kanë dorëzuar. Miqësia mes nesh është mbrujtur dhe ka kaluar përmes provash të forta.

Më tej Spiropali nënvizoi partneritetin e fortë me Izraelin në fusha si politika, ekonomia, mbrojtja, lufta kundër terrorizmit dhe siguria kibernetike. Ajo nënvizoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të Shqipërisë si lidere rajonale në luftën kundër antisemitizmit dhe përmendi angazhimin e Kuvendit në këtë drejtim, pas miratimit të rezolutës për përkufizimin e antisemitizmit dhe organizimit të Forumit të Parë Ballkanik Kundër Antisemitizmit.

Gjatë këtij takimi Herzog shprehu mirënjohjen për pritjen dhe vlerësoi rolin e shqiptarëve në mbrojtjen e hebrenjve gjatë periudhave të vështira. Ai përgëzoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Shqipërisë dhe Izraelit në shumë fusha dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dypalësh. Herzog vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Knesetit, duke garantuar mbështetjen e tij për forcimin e mëtejshëm të këtyre lidhjeve si edhe ftoi Kryetaren Spiropali të vizitojë Izraelin.

Deputetët Gjekmarkaj, Gjylameti, Klosi dhe Bylykbashi vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve dhe shprehën gatishmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet parlamentare mes Shqipërisë dhe Izraelit.


Lajmi kryesor:

Presidenti i Izraelit viziton për herë të parë Shqipërinë! Herzog: Vendi juaj ka treguar se jeni krah popullit izraelit! Rama: Të lirohen pengjet! Shqipëria, mbështet armëpushimin në Gaza


Xh.K/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit

'Mangalem's Shade', magjia e dritave në lagjen muzeale të Beratit