Vizita e Presidentit Biden në Gjermani, bisedime për Lindjen e Mesme dhe Ukrainën

Vizita e Presidentit Biden në Gjermani, bisedime për Lindjen e Mesme dhe Ukrainën

Keir Starmer, Joe Biden, Olaf Scholz, Emmanuel Macron

Presidenti Joe Biden zhvilloi një vizitë të shpejtë në Gjermani të premten, ndërsa Berlini e nderoi atë me medaljen më të lartë civile të vendit.

Presidenti Biden u takua me Kancelarin Olaf Scholz, Presidentin Emmanuel Macron të Francës dhe Kryeministrin Keir Starmer të Mbretërisë së Bashkuar. Në takimin me dyer të mbyllura, udhëheqësit diskutuan për një gamë të gjerë çështjesh, përfshirë mënyrën e vazhdimit të mbështetjes së Ukrainës kundër agresionit rus dhe situatën në Lindjen e Mesme që po ndryshon me shpejtësi.

“Ata folën për planin e fitores të Presidentit Zelenskyy dhe si ne të gjithë mund të punojmë së bashku për të parë nëse mund të arrijmë një paqe të drejtë që do të aprovohet nga Presidenti Zelensky dhe populli ukrainas”, tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për sigurinë Kombëtare, John Kirby. “Dhe sigurisht, që mund të zbatohet”.

Konflikti brutal në Gazë u bë pjesë e vizitës shtetërore të së premtes, ndërsa u njoftua se forcat izraelite kishin vrarë udhëheqësin e Hamasit, një nga arkitektët e sulmit të 7 tetorit në Izrael që shkaktoi luftën. Shtetet e Bashkuara e kanë cilësuar Hamasin grup terrorist.

Menjëherë pas zbritjes nga avioni në Gjermani, të enjten vonë, Presidenti Biden foli lidhur me vrasjen e udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, duke thënë se ishte një “ditë e mirë për botën”.

“Tani është koha për të ecur përpara”, tha ai. “Të shkohet drejt një armëpushimi në Gazë. Të sigurohemi që të ecim në drejtimin e duhur për ta bërë situatën më të mirë për të gjithë botën. Është koha që kjo luftë të përfundojë dhe pengjet të kthehen në shtëpitë e tyre”.

Presidenti Biden tha se do të dërgonte Sekretarin e Shtetit Anthony Blinken në Izrael për të diskutuar planet për të ardhmen. Zëdhënësi Kirby tha se lirimi i pengjeve të mbetura të mbajtura nga Hamasi është përparësi për qeverinë amerikane.

“Presidenti beson se me vrasjen e Sinwar-it dje, ka një mundësi unike këtu që të gjithë ne ta shfrytëzojmë për të parë se çfarë mund të bëjmë për t'i dhënë fund luftës dhe për të arritur një armëpushim. Ende besojmë për një armëpushim në veri, por besojmë se armëpushimi në Gazë është më i rëndësishëm për të mundësuar kthimin e pengjeve”.

Vizita njëditore e Presidentit Biden, e cila përfshiu një takim të shkurtër me të mbijetuarën 102 vjeçare të Holokaustit, Margot Friedlander, ishte e mbushur me kuptime dhe histori.

Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, i cili e dekoroi Presidentin Biden me Urdhrin Gjerman të Meritës, foli mbi rëndësinë e vizitës së udhëheqësit amerikan duke kujtuar histori nga fillimi i viteve 1980, kur një senator i ri amerikan vizitoi Bonin, kryeqytetin e shtetit të ndarë.

Duke bërë një shaka të stilit gjerman, Presidenti Steinmeier, u shpreh se burokrati që shoqëronte senatorin 40 vjeçar, tha se “kishte shumë interes për Gjermaninë” dhe arriti në përfundimin se senatori i ri mund të kishte një “të ardhme të rëndësishme politike”.

“Çfarë nënvlerësimi i jashtëzakonshëm”, tha zoti Steinmeier përpara se të fiksonte yllin e artë me 8 cepa në xhaketën e kostumit të Presidentit Biden. “Sot, ju jeni presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkuara, dhe nën udhëheqjen tuaj, aleanca transatlantike është më e fortë dhe partneriteti ynë është më i ngushtë se kurrë”.

“Ndoshta shërbimi më i çmuar ndaj demokracisë, gjëja më e hareshme dhe më qetësuese për njerëzit është që të dinë se madje edhe njeriu më i fuqishëm në botë, në fund të fundit, është një qenie e zakonshme njerëzore”, tha presidenti gjerman.

Zëri i Amerikës e pyeti këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, nëse pjesë e misionit të Presidentit Biden në Gjermani ishte të mbronte politikën e jashtme kundër një presidence të mundshme të zotit Donald Trump.

“Ajo që presidenti po përpiqet të bëjë është që ta bëjë që qëndrueshëm angazhimin tonë ndaj Ukrainës dhe të institucionalizuar për një afat të gjatë”, u përgjigj zoti Sullivan. “Të gjithë aleatët u pajtuan se kjo ishte gjëja më përgjegjshme për t’u bërë”./VOA

S.B/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    2 Dhjetor, 20:45

    Jeni dakord që prokurorët e SPAK të kenë mundësinë për një mandat tjetër?



×

Lajmi i fundit

Nafta derdhet lumë në Kuçovë, por institucionet bëjnë një sy qorr

Nafta derdhet lumë në Kuçovë, por institucionet bëjnë një sy qorr