Tajvani kreu stërvitje ushtarake në fund të korrikut, duke forcuar mbrojtjen e vet përballë kërcënimeve të shpeshta të Kinës.Në një kohë tensionesh të shtuara ndërmjet ishullit dhe Pekinit, zëvendës presidenti William Lai pritet të ndalojë në Nju Jorku të shtunën, para se të vazhdojë udhëtimin për në Paraguaj. Ai do të kthehet përmes San Franciskos më 16 gusht.
“Nga pikëpamja e Shteteve të Bashkuara, qëndrimi ynë për ‘një Kinë’ nuk ka ndryshuar, vazhdon të jetë qëndrimi ynë. Përsa i përket vizitës së tij, kalime të tilla përmes Amerikës drejt vendeve të tjera, kanë ndodhur shpesh përgjatë dekadave dhe administratave të kaluara, dhe nuk ka asgjë të pazakontë rreth tyre,” thotë zoti Matthew Miller, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit.
Uashingtoni ka arsye ta lërë të kalojë pa bujë kalimin në Amerikë të zotit Lai, sipas analistëve.
Zoti Raymond Kuo, drejtor i Nismës për Politikën ndaj Tajvanit, pranë Korporatës Rand thotë se “Tajvani dhe Shtetet e Bashkuara – nuk duan të provokojnë rritje tensionesh me Kinën, por duan të mbajnë lidhje të rregullta me partnerët e tyre të afërt për qëllime ushtarake dhe ekonomike… Një faktor tjetër i rëndësishëm është se SHBA-të nuk duan të krijojnë përshtypjen se po ndërhyjnë në zgjedhjet e radhës në Tajvan.”
Në Pekin, Kina protestoi, duke kundërshtuar çdo komunikim zyrtar ndërmjet Tajvanit dhe Shteteve të Bashkuara. Kina pretendon sovranitet mbi Tajvanin, ndërkohë që Tajvani, një demokraci e vetëqeverisur, e kundërshton sovranitetin kinez. Qeveria kineze kurrë nuk e ka qeverisur Tajvanin, por thotë se do ta marrë nën kontroll ishullin, qoftë edhe me forcë.
Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara mbajnë kanalet e komunikimit me Kinën të hapura për të shmangur keqkuptime.
Zyrtarët amerikanë do të presin për një vizitë në Amerikë, Ministrin e Jashtëm kinez, Wang Li, që do të takohet me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken. Zoti Wang do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në shtator, në Nju Jork./VOA