Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur edhe njëherë mbështetjen për Prokurorinë e Posaçme SPAK. Ndihmës Sekretari i Departamentit të shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O'Brien shkruan pas takimit me delegacionin e SPAK se është i impresionuar nga puna deri tani. Sipas zyrtarit të lartë amerikan, këto rezultate kanë treguar se askush nuk është mbi ligjin.

‘I kënaqur që takova shefin e SPAK-ut, Altin Dumanin. Është mbresëlënëse të shohësh reformën në drejtësi që jep rezultate reale për popullin shqiptar, duke treguar me veprime se askush nuk është mbi ligjin. SHBA do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm reformën në drejtësi, e cila është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë në BE.’- shkruan O’Brien.

Në takim ishte e pranishme dhe ish-ambasadorja amerikane në vendin tonë Yuri Kim, tashmë Zëvendës Ndihmës Sekretare kryesore e Shtetit për Çështjet e Evropës dhe Euroazisë. 

Prej ditësh një grup i zyrtarëve të lartë të SPAK bashkë me kreun e këtij institucioni, Altin Dumani ndodhen në Uashington, DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në një vizitë studimore. Në një postim të publikuar nga Ambasada e SHBA-së në rrjetet sociale, bëhet me dije se kreu i SPAK ka zhvilluar takime edhe në Byronë Federale të Hetimit (FBI), në Seksionin e Rikthimit të Aseteve të përftuara nga Pastrimi i Parave në Departamentin e Drejtësisë, si dhe në Departamentin e Thesarit.

Sipas ambasadës amerikane, grupi do të vijojë udhëtimin studimor me takime të tjera në Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Drejtësisë dhe Administratën kundër Narkotikëve (DEA).

Pjesë e delegacionit është edhe Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai, prokurorët që po hetojnë dosjen e Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për aferën e privatizimit të ish kompleksit Partizani i cili pasoi me ndërtimin e 19 kullave dhe sipas SPAK i dha një fitim prej 5.4 milionë euro dhëndrit të ish kryeministrit. Po ashtu pjesë e delegacionit janë edhe prokurorët Dorina Bejko, Klodiran Braho, Vladimir Mara.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:09
FOTO/ Vizita e Dumanit në SHBA, ambasada e SHBA-së: Grupi i prokurorëve do të vijojë takimet në DASH

Ambasada Amerikane ka dhënë detaje në lidhje me takimin e kreut të SPAK me zyrtarë të lartë të drejtësisë në SHBA. Dumani sipas ambasadës së SHBA, ka zhvilluar takime në Byronë Federale të Hetimit (FBI), në Seksionin e Rikthimit të Aseteve të përftuara nga Pastrimi i Parave në Departamentin e Drejtësisë, si dhe në Departamentin e Thesarit.

Sipas ambasadës amerikane, grupi do të vijojë udhëtimin studimor me takime të tjera në Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Drejtësisë dhe Administratën kundër Narkotikëve (DEA).

‘Pjesëtarë të ekipit të OPDAT-it në Ambasadën e SHBA dhe zyrtarët e SPAK-ut vazhduan takimet në Uashington, DC. Kreu i SPAK Altin Dumani pati takime në Byronë Federale të Hetimit (FBI), në Seksionin e Rikthimit të Aseteve të përftuara nga Pastrimi i Parave në Departamentin e Drejtësisë, si dhe në Departamentin e Thesarit.

Dumani gjithashtu u takua me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit (INL) Todd D. Robinson, Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike James O'Brien dhe Zëvendës Ndihmës Sekretaren kryesore për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Yuri Kim. Grupi do të vazhdojë udhëtimin studimor me takime të tjera në Departamentin e Shtetit të SHBA, Departamentin e Drejtësisë dhe Administratën kundër Narkotikëve (DEA).’- njofton Ambasada e SHBA.