Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkoi në Komisionin për të Drejtat e Njeriut sqarime për vjedhjen e 700 mijë eurove të destinuara për pensionet në Krujë dhe Shijak, pasi SPAK regjistroi procedimin penal.
Në mbledhje ishte e pranishme edhe deputetja e PS-së, Etleva Budini, ish-drejtoreshë e Postës së Durrësit, e dyshuar si pjesë e skemës së grabitjes. Por, Budini nuk dha asnjë koment pavarësisht se çështja u ngrit në komision nga deputetja e PD-së.
“Sot SPAK njoftoi se ka nisur hetimet për vjedhjen e pensioneve në Postën e Durrësit. Është një çështje shumë e rëndë, që kërkon transparencë. Jemi mësuar të dëgjojmë se janë vjedhur fondet e rrugëve, të inceneratorëve e të tjera, por të vjedhësh edhe lekët e pensionistëve, kjo është një pikë kaq e ulët, ku nuk kishte rënë askush.
Ne, si komision që merremi me këtë çështje, duhet të flasim. Kemi nevojë të dimë se çfarë ka ndodhur me fondet e pensionistëve në Durrës. Çfarë ka ndodhur me paratë e vjedhura? E kemi parë drejtoreshën e Postës së Durrësit duke tërhequr thasët me lekë, ndërsa pensionistët rrinë në radhë dhe numërojnë kacidhet. Dhe ju thoni se do t’u jepni bonus në prill, para zgjedhjeve. Kjo është e papranueshme”, tha Tabaku.
Lajmi kryesor:
Skandali i vjedhjes së 700 mijë eurove në Postën e Durrësit, SPAK regjistron procedim penal! Dyshohet e përfshirë dhe deputetja e PS, Etleva Budini (VIDEO)









