Bën bujë edhe në mediat e huaja vjedhja e pazakontë e 4 hajdutëve të veshur si babagjyshë të Krishtlindjes, të cilët grabitën një argjendari, në brendësi të Qendrës Tregtare TEG më 24 dhjetor.
 
“Tgcom 24” e ka përshkruar këtë ngjarje se si 4 persona të veshur me kostum të kuq dhe me mjekër të bardhë si Bababgjyshi i Krishtlindjes, kanë vjedhur një argjendari në një qendër tregtare të kryeqytetit shqiptar Tiranë.
 
“Tgcom” thekson faktin se kjo vjedhje është bërë nën vëzhgimin e videokamerave të sigurisë, që kanë filmuar të gjithë skenën. Në fund të artikullit, thuhet gjithashtu se shuma që u mor nga Babagjyshët e Krishtlindjes, është më shumë se e mjaftueshme, për të mbuluar shpenzimet e festave të fundvitit, duke parë edhe thasët plot me të cilët janë larguar nga argjendaria 4 hajdutët babagjyshë të Krishtlindjes.
 
Grabitja ndodhi rreth orës 17:30 të 24 dhjetorit, në Qendrën Tregtare TEG, ku 4 persona të veshur si Babagjyshë dhe të armatosur, vodhën një pjesë të konsiderueshme malli në një argjendari dhe më pas u larguan.

Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)