Një 26-vjeçar u arrestua nga policia, pasi u identifikua nga kamerat e sigurisë së një biznesi të vogël në Dibër, teksa vodhi mjaft qetësisht një portofol brenda të cilit ishin 15 mijë lekë.
Nga hetimet, rezultoi se 26-vjeçari J.B banues në Dibër, kryente vjedhje banesash dhe lokalesh në qytetin e Peshkopisë. Në vijim të hetimeve, bazuar edhe në provat e grumbulluara, dyshohet se 26-vjeçari ka vjedhur orendi shtëpiake në një banesë dhe 15.000 lekë në një dyqan në qytetin e Peshkopisë.
Policia ka publikuar edhe pamjet e kamerave të sigurisë të dyqanit, shihet teksa i zoti i dyqanit nuk ndodhet brenda por dera është e hapur. 26-vjeçari hyn mjaft i qetë, me veprime të ngadalta, i pa shqetësuar se dikush mund të hyjë, ndoshta duke e ditur ku ndodhej pronari, ka shkuar deri në sirtarin ku mbaheshin lekët dhe ka marrë portofolin. Ka dalë sërish pa nxituar duke e futur portofolin në xhep.