TIRANË-  Adnan Xholi është kandidati i parë që ka shprehur dëshirën për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Xholi ka një karrierë mbi 20 vjeçare në prokurori. Qysh prej vitit 2013 ai punon në Prokurorinë e Përgjithshme dhe është konfirmuar nga vettingu vitin e kaluar. Adnan Xholi ka qenë edhe kandidat për të marrë drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), mirëpo nuk i rezultoi fitues.

Afati maksimal për dorëzimin e kandidaturave është 2 nëntor 2022 ora 00.00 Arben Kraja përfundon mandatin në datën 19 dhjetor. Më 19 dhjetor merr detyrën drejtuesi i ri dhe Kraja mbetet prokuror i SPAK, pasi si prokuror mandati është 9 vite ndërsa si drejtues zgjidhet çdo 3 vite. Drejtuesi i SPAK nuk ka të drejtë rizgjedhjeje, gëzon vetëm 1 mandat.

Kush është Adnan Xholi?
Xholi është ndër të paktët prokurorë shqiptarë të nderuar me certifikatë mirënjohjeje nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai ka mbajtur më parë detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme, ka ushtruar prej më shumë se 5 vitesh funksionin e Drejtorit të Kontrollit të Hetimit në institucionin qendror të akuzës.

Më herët, prokurori Adnan Xholi ka mbajtur poste drejtuese në prokurori lokale, dhe për shumë vite ka qenë prokuror pranë ish-Prokurorisë për Krime të Rënda.

Në krye të Drejtorisë së Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme, tre muaj pasi kishte marrë këtë detyrë, bashkë me disa oficerë gjyqësorë të Policisë së Shtetit ai punoi me autoritetet amerikane për zgjidhjen e një çështjeje të trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, ku ishte i përfshirë një shtetas shqiptaro-amerikan.