KOSOVË- Vjosa Osmani, është e para kandidate grua për kryeministre në kombin shqiptar. Ajo mbetet kandidatura më e fortë ndër radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Osmani është  militante e fortë për mbrojtjen e territorit të Kosovës.  Studimet themelore i përfundoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa studimet master dhe doktoraturën e përfundoi në Universitetin e Pitsburgut, në SHBA, ku u dallua në mesin e qindra studentëve ndërkombëtarë. Përgjatë të gjitha fazave të studimit, ajo ishte bursiste. Si profesoreshë universiteti, në Kosovë ajo ligjëron lëndë nga fusha e së Drejtës Ndërkombëtare, ndërkaq në Amerikë ligjëron lëndën “Shtet-ndërtimi dhe e Drejta: Përvoja e Kosovës”.

Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Më herët ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë. Nga mediat kosovare ajo është cilësuar si Angela Merkel e Kosovës dhe është gruaja më e votuar ndonjëherë në Kosovë. LDK kishte paralajmëruar se të shtunën do ta caktonte mandatarin për Kryeministër, por, u shty ky vendim pasi në mbledhjen e Kryesisë s’ishin Agim Veliu e Lutfi Haziri.
Kujtojmë se Kosova po shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare. Të gjitha partitë janë fokusuar të fushata, te koalicionet parazgjedhore dhe te kandidati për kryeministër.

Vjosa Osmani, Angela Merkel e Kosovës