Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbështetur publikisht kandidaturën e Bekim Sejdiut për President të Republikës, pak pasi u bë e ditur se ai është emri për të cilin kanë rënë dakord Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Osmani e cilësoi Sejdiun si një figurë që përfaqëson “seriozitetin, integritetin dhe vizionin” që kërkon posti i kreut të shtetit.
"Sot, Kosova ka një emër për Presidentin e Republikës që përfaqëson seriozitetin, integritetin dhe vizionin që kërkon një përgjegjësi e tillë. Prof. Dr. Bekim Sejdiu. Një profesionist i dëshmuar, një njeri me integritet dhe një figurë që e njeh nga afër shtetin, institucionet dhe sfidat e Kosovës. Për mua, ai është gjithashtu një bashkëpunëtor i dëshmuar, me të cilin kam pasur nderin të bashkëpunoj për 25 vite, përfshirë në kabinetin tim gjatë mandatit tim si Presidente, si dhe ta njoh nga afër përkushtimin, karakterin dhe përgjegjësinë e tij. Në fund, vendimi i takon përfaqësuesve të zgjedhur të Republikës dhe përgjegjësia për këtë vendim është historike. Ta bëjmë këtë zgjedhje duke menduar për Kosovën që duam të ndërtojmë, për interesin shtetëror, për stabilitetin institucional, për fuqizimin e aleancës euroatlantike e për demokracinë. Na priftë e mbara, për Republikën mbi të gjitha" shkroi Osmani në rrjete sociale.
Lajmi kryesor:
Zgjidhet ngërçi politik në Kosovë/ Kurti e Abdixhiku arrijnë marrëveshjen për presidentin! Bekim Sejdiu emri konsensual: Do shërbej me devotshmëri









