Në ditën e dytë të vizitës së saj në Shqipëri presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani mori të martën në Berat titullin e lartë "Patron i Kalasë". Ajo ka mbërritur në mesditë në qytetin muze, e shoqëruar nga bashkëshorti i saj dhe personalitete të larta të qeverisë së Kosovës.

Kryebashkiaku i Beratit, Ervin Demo, i ka dorëzuar presidentes së Kosovës Osmani titullin "Patron i Kalasë" së Beratit, titulli më të lartë ekzekutiv që i jepet personaliteteve të shquara, titull ky i miratuar me unanimitet nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak Berat.

Si Patrone e Kalasë së Beratit Osmani u zotua  për promovimin e saj gjithandej nëpër botë.

”Kalatë nuk janë thjeshtë vetëm kala shekullore, janë kujtesa jonë kolektive pasi përgjatë historisë kalatë kanë luajtur një rol të rëndësishëm për historinë e çdo populli. Kjo kala duhet të mbrohet nga çdo brez dhe qoftë simbol i unitetit mes nesh"-,ka thënë Osmani.

Ndalesa tjetër e presidentes së Kosovës ishte në Durrës ku Osmani zhvilloi një takim me Kryetaren e Bashkisë, Emiriana Sako dhe më pas edhe një vizitë në pikën doganore të Kosovës në portin e Durrësit.

Në faqen e saj zyrtare, Osmani njoftoi se shkrimtarit të madh Ismail Kadare, i ka dorëzuar Dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.

“Mirë se vini Ismail Kadare në familjen e madhe të Kosovës! Rrëfimet tuaja le të vazhdojnë ta pushtojnë botën duke na kujtuar fuqinë e letërsisë për t`i formësuar perspektivat, sfiduar normat dhe nxitur dialogun!”, shkruan Osmani.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:31
Vjosa Osmani përmbyll në Durrës vizitën në Shqipëri, publikon foto nga Porti i Durrësit

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka përmbyllur vizitën e saj dy ditore në Shqipëri. Nga Durrësit ku ishte pasdite e sotme, Osmani ka takuar kryetaren e bashkisë së Durrësit Emiriana Sakon.

‘Nga Tirana fantastike e Berati magjepsës, vazhduam në Durrës - një nga qytetet më të lashta dhe më të rëndësishme të turizmit të Shqipërisë. Diskutime me Kryetaren Emiriana Sako, vizitë në Portin e Durrësit dhe Pikën Doganore të Kosovës dhe përmbyllje e vizitës tek “Torra Veneciane” që ofron një përvojë të jashtëzakonshme. Mirupafshim sërish së shpejti!’- shkruan Osmani.

 

Ora 19:47
Presidentja Vjosa Osmani i dorëzon Ismail Kadaresë Dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës 

Presidentja Vjosa Osmani i ka dorëzuar Ismail Kadaresë Dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.

'Sot shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, nderit të kombit tonë, ia dorëzova Dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës. Mirë se vini Ismail Kadare në familjen e madhe të Kosovës! Rrëfimet tuaja le të vazhdojnë ta pushtojnë botën duke na kujtuar fuqinë e letërsisë për t`i formësuar perspektivat, sfiduar normat dhe nxitur dialogun!'- shkruan Osmani.