“Vladimir Vladimirovich, njerëzit kanë frikë nga ju”. Kështu nis, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Putinit, një video e publikuar ditët e fundit në Instagram nga influencerja ruse Victoria Bonya. Jo tamam një disidente, por një beauty influencer me mbi 13 milionë ndjekës, e njohur për këshillat e saj për makeup – ka edhe një linjë të sajën – dhe për stilin e jetesës; jeton në Principatën e Monakos dhe është shumë e famshme në vendin e saj për pjesëmarrjen në versionin rus të Big Brother. Por këtë herë nuk ka sugjerime për kremra apo mascara: me grim të lehtë, një këmishë të thjeshtë mashkullore mbi një T-shirt të zezë, Victoria flet me një ton të qetë, por bën një goditje të fortë.

“Njerëzit kanë frikë nga ju, blogerët kanë frikë nga ju, artistët kanë frikë nga ju, guvernatorët kanë frikë nga ju. Dhe ju jeni presidenti i vendit tonë”, vijon Bonya në video, e cila ka arritur mbi 26 milionë shikime dhe 1.3 milionë pëlqime. Më pas, si një analiste politike, ajo rendit problemet që po e prekin Rusinë: kufizimet qeveritare mbi përdorimin e rrjeteve sociale dhe të internetit në përgjithësi, akuzat për ngadalësi të ndërhyrjes shtetërore pas përmbytjeve në Dagestan, si dhe menaxhimi brutal i therjes së bagëtive në Siberi.

Fakti që një influencere kaq e njohur kritikon drejtpërdrejt Kremlinin bie në sy, sepse është tregues i një pakënaqësie të përhapur. Por detaji më befasues është se Victoria Bonya është e njëjta që, katër vite më parë, një muaj pas pushtimit të Ukrainës, kishte publikuar një video ku shkatërronte një çantë Chanel: ishte një formë proteste – e saj dhe e influencereve të tjera ruse – kundër vendimit të markës franceze për të mos shitur më produktet në Rusi dhe për të mbyllur butiqet në Moskë, në përputhje me sanksionet e vendosura nga BE-ja. “Nëse shtëpia Chanel nuk i respekton klientët, pse duhet ta respektoj unë? Bye bye”, thoshte Bonya ndërsa priste me vendosmëri lëkurën e çmuar të një çante që kushtonte dhjetëra mijëra euro.

Sot, megjithatë, e njëjta Bonya, dhe pas saj edhe influencere të tjera më pak të njohura, po heqin dorë nga besimi i pakushtëzuar ndaj presidentit. “E dini cili është rreziku?”, pyet Bonya. “Që njerëzit të mos kenë më frikë, të ndihen si një sustë e ngjeshur dhe që një ditë ajo sustë të shpërthejë”, thotë blogerja në video.

Duhet theksuar se fjalët e Bonya-s nuk sulmojnë drejtpërdrejt politikën e Putinit dhe as luftën në Ukrainë, por flasin për frikën dhe mungesën e besimit. Megjithatë, bëhet fjalë për një “bombë” që i shtohet të dhënave shqetësuese nga sondazhet e fundit: Putini po humbet popullaritet pikërisht për shkak të kufizimeve në internet dhe vështirësive në rritje ekonomike. Videoja denoncuese nga një figurë kaq e njohur si Bonya, brenda dhe jashtë vendit, ka shtyrë Kremlinin të ndërmarrë një hap të pazakontë: të pranojë kritikat dhe të deklarojë se po punon për të adresuar problemet e ngritura nga influencerja./ Corriere della Serra