VLORE- Familjarët e Sokol Veizit, peshkatarit nga Orikumi, njërit prej viktimave të vrasësit me pagesë Julian Sinanaj, pranojnë konfliktin për pronat me Andon Mëhillajn, ndërsa ndihen më të të lehtësuar me arrestimin e vrasësit dhe zbardhjen e ngjarjes.
 
Kamera e “A1 Report” shkoi sot në familjen e Sokol Veizit, dhe u njoh nga afër me gjendjen e familjes Veizi dy vite pas vrasjes.
 
Naso Veizi 65-vjeçarja, e cila tashmë prej dy vitesh kujdeset për dy fëmijët jetimë të djalit të saj Sokolit, rrëfen momentin kur mori vesh se u arrestua vrasësi i të birit.

“Isha ulur në kuzhinë dhe televizorin e kisha të fikur, kur më merr një komshi në telefon. Më thotë që të hap televizorin shpejt. Kur ndez televizorin, shkruhej se gjendej vrasësi i Sokol Veizit. Me ra të fiktë, ulërita, nuk e dija se kush mund të ishte. Nuk e kuptuam në fillim se Agron Çela ishte i vrarë për vete, më pas lajmi u dha më i qartë”, rrëfen nëna e Sokol Veizit.
 
65-vjeçarja e pranon se toka e cila ishte dhe shkaku i vrasjes së djalit saj i përkiste kushërinjve Andon dhe Genis Mëhillaj, të cilët sipas Prokurorisë së Krimeve të Rënda janë edhe porositësit e vrasjes së Sokolit, por thekson se ate tokë e kishin përfituar mbi banëz e ligjit 7501.
 
Ajo shprehet se nuk e priste këtë hakmarrje nga vëllezërit Mëhillaj, të cilët në Orikum njiheshin si njerëz të qetë.

"Mëhillajt neve i njohim, i kemi këtu, i kemi afër. Ndonjë konflikt djali me ta nuk më ka patur asnjëherë se po të kishte konflikte ndryshonte puna, do të ishim të tërë të qartë. Ndërsa toka që flitet që kemi patur konflikt është e Mëhillajve por mua ma ka dhënë reforma", thotë 65-vjeçarja Naso Veizi.
 
Më e qetë pas arrestimit të 29-vjeçarit, Julian Sinan, ndihet edhe vajza e Sokol Veizit, e cila bën apel që instancat qeveritare të ndalojnë sa më shpejt porositësit e vrasjes së babait të saj.
 
Sokol Veizi u vra me 26 gusht të vitit 2012 në ambjentet e një lokali në qytezën e Orikumit. Julian Sinanaj, vrasësi me pagesë i arrestuar nga policia pranoi krimin për të cilin Andon Mëhillaj i kishte dhënë një partament 50 m2 si shpërblim.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)