VLORE- Bllokohet një autobus i linjës Vlorë-Kucovë me 51+2 vende. Shkak për bllokimin e këtij autobusi është bërë fakti se nga kontrolli i dokumentacionit të këtij automjeti ka rezultuar se nuk ishte kryer kontrolli teknik (kolaudimi). Policia e Vlorës bën të ditur se ka bllokuar autobusin me targa VL 6747 C, me pronar shtetasin Fatmir Cepa i cili është edhe drejtuesi i këtij mjeti i pajisur me patentë të klasit D. Kjo masë e policisë së Vlorës vjen pak ditë pas tragjedisë së Himarës, ku humbën jetën 13 persona.

Ndërkaq shërbimet e Njësisë Rajonale të Policisë së Qarkullimit Rrugor në Vlorë kanë marrë masë administrative edhe për autobuzin e linjës Vlorë-Himarë me 31+1 vende me targa VL 4742 C me pronar dhe njëkohësisht drejtues shtetasin Llazi Valla i pajisur me patentë të klasit DE, i cili kishte 15 pasagjerë jashtë kapacitetit maksimal në mjet. Në njoftimin zyrtar të policisë theksohet se këto vendime janë marrë në kuadër të masave për sigurinë e qarkullimit rrugor gjatë sezonit veror.
(jd/shqiptarja.com)