INTERPELANCA
E paralajmëruar ditë më parë, ditën e djeshme këshilli bashkiak i Vlorës është mbledhur jashtë radhe me kërkesën e këshilltarëve të djathtë për të thirrur në interpelancë kryebashkiakun Gjika dhe administratën e bashkisë, për të informuar se çfarë është bërë për festimet e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë. Në mbledhje kanë asistuar vetëm këshilltarët e djathtë, ndërsa të majtët, që kanë qënë të pakët, kanë reaguar ashpër ndaj prefektit Eduard Veçani, që nuk i është përgjigjur ftesës së tyre, për të qënë i pranishëm në këtë mbledhje të pazakontë. Në emër të grupit, Barie Isufi nënkryetare e grupit të këshilltarëve të PD, është shprehur se Vlora s'është gati për të festuar 100 vjetorin dhe se infrastruktura në qytet është problematike, pasi investimet nuk po ecin me ritmet e duhura.
GJIKA
Pasi ka dëgjuar fjalën e Isufit, kryebashkiaku u është drejtuar ashpër këshilltarëve të djathtë. "Ky është turpi më i madh i juaj që edhe një datë kaq të rëndësishme, sikurse është 100 vjetori i Pavarësisë, ta shndërroni në fushatë të pastër elektorale. Nuk besoj, duke i u referuar fshatit tënd dhe fshatit tim, që kur ka dasëm, i zoti shtëpisë të dalë nëpër fshat dhe të thotë: Nuk kam mishin, vezën rakinë. Përkundrazi i thotë fshatit: Ejani të festojmë bashkë. Vërtetë është përgjegjësia ime dhe administratës për të kremtuar festën sa më denjësisht, por është edhe e juaja dhe ju nuk duhet të vini me lugë në brez", ka deklaruar Gjika.
"Çfarë do t'i thoni Vlorës se e ka fajin Shpëtim Gjika, ashtu sikurse bëri Basha kur u përmbyt Tirana që u shpreh se e ka fajin Edi Rama. Po fatmirësisht Vlora di të ndajë moralin me imoralin", nënvizoi Gjika. I cili tha se kishte ardhur me shumë respekt për të përmbushur kërkesën e këshilltarëve, sepse i referohet dhënies llogari nga administrata që drejton. "Ja ku po ju them se investimet e nisura në Sheshin e Flamurit e në Sheshin e Skelës, do përfundojnë deri më 15 nëntor edhe pse bashkia e Vlorës është në vështirësi të mëdha financiare. Investimet po i bën bashkia", tha Gjika duke shtuar se "fatkeqësisht qeverisja juaj, s'mbajti fjalën për të kontribuar për Vlorën".
GANAJ
Pasi kryetarja e këshillit bashkiak Elona Hoxha ka sqaruar këshilltarët se përse iu bë kërkesa zyrtare prefektit, kreu i grupit të këshilltarëve të majtë Dallandyshe Gani, ka denoncuar prefektin Eduard Veçani, që nuk i është përgjigjur kërkesës së këshilltarëve të majtë për tu bërë pjesë e këtij debati dhe për të dhënë kontributin e tij. Ajo ka shprehur habinë se "ka eveniment të rëndësishëm se sa 100 vjetori i Shpalljes së Pavarësisë që Prefekti të ishte këtu për të ndarë problemet që kemi, por me mungesën e tij ai tregoi se nuk është në anën e historisë por të politikës".
(Shkrimi u publikua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)