Vlorë - Egli Aliraj, 35 vjeç, në gjendje të dehur, ka spërkatur me lëndë djegëse dhe ka djegur një kamionçinë të firmës e cila po rehabilitonte rrugën e Panajasë.

Sipas informacioneve, i riu është konfliktuar edhe me disa persona të tjerë në fshat.

Më pas, ai ka marrë edhe armën e zjarrit të llojit çifte dhe, sipas burimeve të policisë, ka qëlluar në ajër.

Pas kësaj situate policia ka arrestuar 35-vjeçarin, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

Njoftimi i policisë:

Në fshatin Panaja, Vlorë, dyshohet se shtetasi E. A., 35 vjeç, banues në këtë fshat, pas një konflikti për motive të dobëta me punonjës të një subjekti privat që po kryente punime për shtrimin e rrugës së fshatit, ka qëlluar në ajër me një armë gjahu dhe më pas i ka vënë zjarrin një automjeti kamionçinë në pronësi të këtij subjekti.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë kapur dhe shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, autorin e dyshuar, shtetasin E. A. Gjithashtu, është sekuestruar në cilësinë e provës materiale arma e gjahut që dyshohet se është përdorur gjatë ngjarjes.

Grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë