Vlorë - Policia e Vlorës bllokoi dhe sekuestroi mbrëmjen e vonë të të enjtes, gjatë një operacioni antidrogë, 50 kg lëndë narkotike të llojit marijuanë ("çokollatë"), e paketuar, ndërkohë që arrestoi në kushtet e flagrancës katër persona.
Burime zyrtare të policisë lokale bënë të ditur për ATSH-në se, u arrestuan Edison Begaj, 37 vjeç, Eraldo Memushi, 30 vjeç, Erjon Çela, 32 vjeç dhe Gjergji Dervishi, 23 vjeç, të gjithë nga Vlora, ndërkohë që u shpallën në kërkim tre persona me iniciale G.M, K.M, dhe A.B. Sipas policisë, arrestimi i tyre dhe bllokimi i lëndës narkotike, ishin finalizim i një operacioni të koduar "Jeep", që nisi rreth 1 muaj më parë, me hetime proaktive dhe metoda të tjera speciale.
Operacioni u finalizua në vendin e emërtuar "Qafa e Kuzum Babasë", ku të arrestuarit kishin rënë dakord për shkëmbimin e lëndës narkotike, çka nuk u realizua për shkak të ndërhyrjes së forcave të policisë, të cilat kishin rrethuar vendin e ngjarjes dhe që u ndeshën me rezistencën me armë zjarri të njerit prej tyre.
Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes policisë dhe trafikantëve, mbeti i plagosur lehtë në dorë efektivi i komisarisatit të Vlorës, A.B.
Mësohet se, fillimisht u neautralizua dhe u kap 37 vjeçari Edison Begaj, me precedentë të mëparshëm penalë, ndërkohë që më pas u ndoqën dhe u arrestuan në vende të ndryshme në qytet edhe personat e tjerë.
Gjithashtu, mësohet se lënda narkotike u gjet brenda automjetit tip "Jeep" me ngjyrë gri që posedohej nga shtetasi Edison Begaj. Në operacionin antidrogë u përfshinë 35 forca policore të komisariatit të Vlorës si dhe njësitë e Repartit Special Delta Force. /ATSH/