VLORË- Një 45-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti në punë në një kompleks turistik në ndërtim në Palasë. Kreshnik Haska ishte në punë në momentin kur është përplasur nga një fadromë që drejtohej nga një 26-vjeçar.

Punëtori i ndërtimit ndërroi jetë rrugës për në spital si pasojë e plagëve të marra. Policia e Vlorës shoqëroi shoferin e fadromës, Elidon Pashaj.

“Sot, në një kantier ndërtimi, në fshatin Palasë, Himarë, dyshohet se shtetasi E. P., 26 vjeç, gjatë punës brenda kantierit, duke kryer manovra me mjetin fadrom, ka aksidentuar shtetasin K. H., 45 vjeç, punëtor po në atë kantier. Shtetasi K. H., si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë gjatë transportit për në spitalin e Vlorës.

Në ambientet e Komisariatit të Policisë Himarë është bërë menjëherë shoqërimi i shtetasit E. P., për veprime të mëtejshme hetimore”, njoftoi Policia e Vlorës.

Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.