VLORË-Gazrat helmues dhe ujërat e ndotur nëntokësorë në zonën naftënxjerrëse të fshatit Mërtiraj të Vlorës prej vitesh janë kthyer në rrezik për shëndetin e banorëve.

Ata ankohen për sëmundje vdekjeprurëse të shkaktuara nga gazrat dhe ujërat që përfundojnë në kanalet e kullimit.

Më tej këto ujëra derdhen në lumin e Vjosës duke u përhapur në gjithë zonën, ndërkohë që asnjë prej institucioneve përkatëse nuk është marrë me këtë situatë.

"Ndotja është e ujit, e ajrit, ngordhin bagëtitë. Është ambienti shumë i rëndë dhe kemi kërkuar qindra herë të na ndihmojnë për këto raste por nuk mban përgjegjësi askush."
 
"Shumë afër këtu, ka  ndodhur që kanë ngordhur bagëtitë, e ka zënë edhe çobanin gazi. Këtu më tutje ka vdekur edhe një njeri. Ne do  të vazhdojmë me protesta siç dhe kemi bërë edhe herë të tjera. Do të vazhdojmë deri në pezullimin e punës, nuk do lejojmë marrjen e  prodhimit që del këtu",
shprehen banorët.
  
Autoritetet e Bashkisë së Selenicës thonë për Report Tv se kanë dërguar në institucionet përgjegjëse gjithë dokumentacionin dhe matjet e bërë në terren.

Nëse do vazhdojë të mos marrë përgjigje, kjo bashki do të vendosë pezullimin e punë në këto puse.

"Janë hektarë të tëra toke të bllokuara nga ndotja e naftës, edhe në blektori ka pasur probleme edhe në mjedis. Situata është shumë problematike, shumë e rënduar. Ne do presim edhe pak kohë. Nëse nuk do ketë reagim nga institucionet qendrore ne do t'i bllokojmë", shprehet Klevis Bedinaj, specialist për mjedisin.
 
Një tjetër shqetësim për ndotjen në këtë zonë është dhe derdhja pa kriter e mbetjeve, në pikën e dekantimit të naftës, të cilat përfundojnë drejt e në lumin Vjosë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com