Policia e Vlorës ka arrestuar 4 persona pasi iu gjet kanabis në banesë dhe dyshohet se do ta shisnin në zona turistike. Më datë 25 korrik, në pranga ranë Agron Yzeiraj, 44 vjeç, banues në Fier Neritan Avdiu, 30 vjeç, banues në Qeparo, Klaudja Sadiku, 31 vjeçe, banuese në fshatin Berdenesh, Sarandë dhe E.B, 42 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë. 

Por, më datë 28 korrik, Gjykata e Sarandës ka vendosur lirimin nga qelia për 42-vjeçarin E.B, me argumentin se arrestimi i tij është i paligjshëm. Ndaj tij është caktuar masa detyrim paraqitjeje çdo të hënë në Policinë e Sarandës. 

'Në kuadër të masave të marra për rritjen e sigurisë gjatë sezonit turistik, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Komisariatit të Policisë Sarandë kanë intensifikuar kontrollet në rrugë, banesa dhe ambiente të tjera publike dhe private, me fokus zonat bregdetare dhe turistike.

Si rezultat i këtyre kontrolleve, u arrestuan në flagrancë 4 shtetas që posedonin në banesat e tyre, në Vlorë, Qeparo dhe Sarandë, lëndë narkotike të llojit cannabis sativa, të dyshuara me qëllim shitjen në zona turistike, konkretisht shtetasit:

A.Y, 44 vjeç, banues në Fier N.A, 30 vjeç, banues në Qeparo, K.S, 31 vjeçe, banuese në fshatin Berdenesh, Sarandë dhe E.B, 42 vjeç, banues në lagjen nr. 4, Sarandë', njoftoi sot policia.

Materialet procedurale u referuan në Prokuroritë përkatëse, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.